Pëllumb Isufaj 56-vjeç me detyrë inspektor mjedisi në Bashkinë e Mallakastrës u arrestua në datë 10 mars nga policia me akuzën se goditi efektivin e FNSH-së me gurë në kokë gjatë tubimit kundër kryeministrit Rama, që po zhvillonte takime në këtë qytet në fundjavë.
Policia në njoftimin e shpërndarë për mediat theksonte se arrestimi i Isufajt u bë pas analizimit të pamjeve filmike dhe provave të tjera të mbledhura. Por, sot Isufaj u lirua nga kjo akuzë.
Ai së bashku me dy persona të tjerë, Enkeled Kafrani dhe Lavdimir Zykaj dolën sot para gjykatës së shkallës së parë në Fier.
Seanca nisi në orën 15:15 nën masa të rrepta sigurie, pasi gjykata ishte e rrethuar nga efektivë të shumë për të shmangur incidentet. Enkeled Kafrani dhe Lavdimir Zykaj u lanë në masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa për Pellumb Isufajn, prokurori kërkoi arrest me burg.
Por pasi avokati ka kundërshtuar kërkesën e prokurorit duke theksuar se nuk ka prova që ai të ketë goditur me gurë policin e FNSH.
Në këto kushte gjyqtari dhe prokurori dhe një ekspert, oficer gjyqësor janë futur në dhomën e këshillimit dhe pas diskutimit më shumë se një orë e gjysmë kanë vendosur që i dyshuari nuk ka qëlluar me gurë dhe nuk është personi që goditi policin duke e lënë në arrest shtëpie, por me dy akuza;
kundërshtim të forcave të policisë dhe pjesëmarrjen në tubim të paligjshëm, ndërsa akuza për goditje të policit ka rënë.