Gjykata e Apelit në Shkodër ka liruar nga çdo akuzë katër punonjësit e postës së policisë në Velipojë që u arrestuan më 17 qershor të këtij viti si të dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre” për favorizim të kultivimit të sasive të konsiderueshme të bimëve narkotike në zona që kanë pasur mundësi të mbikqyren e kontrollohen në kuadër edhe të Planit të Veprimit dhe Planit Operacional të policisë së Shkodrës.
Më përpara gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shtetasit Zamir Sytari, 40 vjeç me detyrë më përpara shef i stacionit të policisë Velipojë, Arben Hoxha, 45 vjeç me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve në postën e policisë në Velipojë, Ergys Lohja, 34 vjeç me detyrë ndihmës specialist i policimit në Komunitet dhe Hysni Beqiri 53 vjeç me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në postën e policisë në Velipojë.
Ndërkohë Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi që t’i lirojë katër efektivët e policisë. Gjyqtari Fuat Vjerdha cilësoi si të paligjshëm arrestimin e këtyre shtetasve duke i lënë të lirë. Ndërkohë pas hedhjes poshtë të dyshimeve të ngritura ndaj tyre nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, pritet që katër efektivët të rikthehen sërish në detyrë. Zamir Sytari tashmë do shërbejë në policinë e Hasit sepse është transferuar atje ndërsa tre efektivët e tjerë do vijojnë të shërbejnë në policinë e Velipojës.
Brenda dy ditësh gjykatat në Shkodër kanë sfumuar dy operacione të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe policisë së Shkodrës të cilët kanë vënë në pranga kolegët e tyre efektivë policie. Një ditë më parë Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër liroi nga paraburgimi kryekomisar Saimir Rrustemin dhe 9 efektivë të tjerë të policisë së Shkodrës ndërsa tashmë gjykata e apelit lë të lirë katër efektivët e tjerë të Velipojës që dyshoheshin për favorizim të parcelave me drogë.
Në seancë qoftë në shkallën e parë por edhe në gjykatën e apelit efektivët e policisë dhe avokatët e tyre mbrojtës mohuan akuzat për përfshirje të tyre në parcelat me kanabis apo favorizim të kultivuesve të ndryshëm, pretendime që gjykata i pranoi duke vendosur lirimin e tyre.