Ministrat e Bashkimit Evropian votuan në fillim të javës për t’i dhënë statusin e vendit kandidat për anëtarësim Bosnje Hercegovinës. Vendimi përfundimtar duhet të miratohet nga udhëheqësit e bllokut që takohen sot. Por banorët e Sarajevës kanë mëdyshjet e tyre duke marrë parasysh ngurrimin që kanë disa vende për zgjerimin e BE-së me anëtar të rinj. Banorët e Sarajevës nuk janë tërësisht të bindur se vendi i tyre do të arrijë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Nuk pres shumë nga anëtarësimi në BE. Serbia është kandidate që nga viti 2012, ndërsa Turqia ka qenë kandidate për 20, ose 30 vjet. Nuk shoh që ky status do të përmirësojë shumë jetën dhe standardin e njerëzve në vendin tonë”, tha Haris Szonlic, banor i Sarajevës. Procesi për t’u bashkuar me BE-në mund të zgjasë shumë vite dhe përfshin negociata të vështira për përshtatjen e ligjeve të shteteve të veçanta me ato të BE-së. Koha e gjatë e pritjes për anëtarësimin në BE është një tjetër arsye pse boshnjakët janë skeptikë.

“Nuk mendoj asgjë të veçantë për statusin e kandidatit. Mund të duhen 10, ose 15 vjet. Mendoj se është një gjë e mirë, por nuk varet nga ne, por nga politikanët tanë”, tha Drita Çausheviç Sarvan.

“Ka kohë që flitet për këtë, por nuk është bërë asgjë konkrete. Nuk e di nëse është në dorën e Evropës, apo të politikanëve tanë. Nuk mendoj se politikanët tanë bëjnë mjaftueshëm për ne”, vlerëson banori tjetër Nedim Dzananoviç. Brenda bllokut evropian ekziston një hezitim për të zgjeruar BE-në me anëtarë të rinj. Vendi i fundit që iu bashkua bllokut evropian ishte Kroacia, në vitin 2013.

“Unë besoj se çdo banor i Bosnjës dhe Hercegovinës dëshiron të hyjë në BE për shkak të mundësive të mëdha, por për momentin mendoj se po na gënjejnë dhe se nuk e dimë se në çfarë faze jemi dhe cili është statusi i Bosnjë-Hercegovinës” thotë më tej Nedim Dzananoviç. Megjithë hezitimin, pushtimi rus i Ukrainës ka nxitur BE-në që t’i kushtojnë më shumë energji përmirësimit të marrëdhënieve me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Artikulli paraprakKRYEMINISTRI, EDI RAMA: KRENAR QË PRANVERËN E ARDHSHME MIRËPRESIM NË TIRANË SAMITIN E PROCESIT TË BERLINIT!
Artikulli tjetërPSE QAJMË KUR JEMI TË LUMTUR?