Një efektiv policie i komisariatit nr 2 në Tiranë u shpall në kërkim nga Policia e Durrësit, pasi u filmua në njërën nga makinat që sollën 400 kg hashash në Fushë-Krujë.
Në pranga ra një person që ndodhej në automjetin tjetër, ndërsa specialistët po hetojnë linjën e trafikut të drogës.
Policia e Durrësit shpalli në kërkim një efektiv të komisariatit nr 2 në Tiranë, pasi u filmua nga kamerat e sigurisë së një hoteli, kur solli një sasi të madhe droge në ambientet e një hoteli të njohur në Fushë-Krujë.
Burime të besueshme pranë Policisë së Shtetit thanë për Ora News se specialistët e Antidrogës ishin në ndjekje të një rrjeti kriminal që merrej me kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike,
por ekspertët nuk kishin dijeni për mbërritjen e afro 400 kilogramëve kanabis pranë ambienteve të këtij hoteli.
“Ka qenë një telefonatë e mbërritur në sallën operative, ajo çka aktivizoi një grup operacional për këtë rast”-shtuan burimet.
Me mbërritjen atje, Policia e Durrësit ka konstatuar 2 automjete të parkuara pranë hotelit, ku një prej tyre ishte furgon.
Inspektori i komisariatit nr 2 është filmuar nga kamerat e sigurisë, teksa ndodhej në njërin prej automjeteve dhe sapo ka pikasur grupin operacional, braktisi automjetin dhe u largua.
Policia sekuestroi mbi 400 kg kanabis që mendohet se do të transportohej drejt Italisë, ndërsa u ndalua personi që ndodhej në automjetin tjetër.