Përdorimi i sapunit 15 lekësh, siç njihej dikur, në vend të plastelinës në orën e Vizatimit u shkaktoi probleme shëndetësore nxënësve të një shkolle 9 vjeçare në Bulqizë.
Të paktën 11 fëmijë përfunduan në spital me shenja helmimi.
Drejtoria e Shërbimit spitalor në Bulqizë njoftoi se nxënësit dolën nga spitali dhe sipas analizave nuk kanë pasur pasoja të rënda.
“Fëmijët kanë ardhur me simptoma të dhimbjes së kokës, të përziera dhe vështirësi në frymëmarrje. Janë bërë analizat dhe fëmijët rezultuan me çrregullime apo pasoja të rënda. Rreth orës 13:30, të shoqëruar nga prindërit nxënësit u larguan nga spitali,”-raporton spitali i Bulqizës.
Disa prej nxënësve thanë se patën shqetësime pasi ndjenë erën të rëndë të sapunit gjatë orës së mësimit.
Nxënësi: “U helmuam nga era e keqe e sapunit. Ishim në orën e vizatimit dhe sapunin e përdornim për të bërë forma. Ishim 10 nxënës në klasë dhe kishim gjymë orë që përdorinim sapunin.”
Nxënësit u shprehën se në fillim patën dhimbje kokë e barku për të cilat morën më pas edhe ndihmë mjekësore.
Nxënësi: “Ishin në orën e mësimit në vizatim dhe na helmuan disa sapunë të këqinj. Kur mbaroi ora e mësimit filluam të kishim shqetësimet e para.”
Mjekët e spitalit lokal thanë se fëmijët nuk patën komplikacione apo rrezik për jetën, ndërsa shkaqet e helmimit do të përcaktohen nga analizat dhe hetimet.