Një vajzë 22-vjeçare shqiptare është dënuar nga gjykata britanike me 13 muaj e gjysmë burgim pasi u kap me dokumente të falsifikuara.
Mediat britanike shkruajnë se I. B.i u ndalua Korrikun e vitit të kaluar nga policët e kufirit në portin e Holyhead, teksa ishte duke udhëtuar me makinë.
Kur agjentët i kërkuan dokumentet, ajo dorëzoi një kartë identiteti dhe një patentë greke.
Ina këmbëngulte se ishin origjinale, por në fund pranoi se është qytetare shqiptare dhe nuk ka të drejtë hyrjeje në Britani të Madhe.
Makina ku ndodhej vajza drejtohej nga irlandezi Robert Marsland, i cili më parë kishte kaluar edhe 5 shqiptarë ilegalisht në Britani, por ai nuk mori pjesë në seancë për shkak të motit të papërshtatshëm për të udhëtuar.
Ajo u arrestua dhe u akuzua për posedim të dokumenteve false.
Para gjykatës ajo tha se ishte viktimë e skllavërisë moderne dhe po trafikohej në Britani. Por hetimet kishin vërtetuar se I. B. nuk ishte trafikuar, por kishte hyrë vetë në Angli me dokumente të falsifikuara.
22-vjeçarja pranoi akuzat e prokurorisë, ndërsa avokati i saj tha se ajo është infermiere e diplomuar në Shqipëri dhe kishte planifikuar të kryente studimet “Master”.
Avokati bëri gjithashtu me dije se ajo ka bërë kërkesë për azil në Britani të Madhe.
Në fund gjykatësi dha dënimin me 13.5 muaj burgim për 22-vjeçaren shqiptare, si dhe urdhëroi konfiskimin e dokumenteve false greke që përdoreshin prej saj.