Gjykata Penale e Tiranës liron nga qelia dy nga 6 personat e arrestuar për falsifikimin e dokumenteve,, kartave të identitetit e pasaportave, që dyshohet se kanë ndihmuar një numër të lartë personash për ti kalur drejt vendeve të BE në mënyrë të jashtëligjshme.
Me kërkesë prokurorisë, gjykata caktoi detyrim paraqitje për punonjësin e Bashkisë Tiranë, 29 vjeçarin Enzo Hysko dhe të dyshuarën Valbona Badeni.
Ndërsa për te dyshuarin si organizator të aktivitetit kriminal Lirim Shini dhe bashkëpunëtorët e tij Agron Hoxha, Henri Kurti dhe Myslym Hysko u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura me kerkesë të prokurorisë.
Gjashtë persona të tjerë mes të cilëve edhe një punonjës i Bashkisë së Tiranës, vartës i Erion Veliajt, u arrestuan nga policia tri ditë më parë me akuzën se kishin ngritur një laborator të mirëfilltë për falsifikimin e dokumenteve.
Laboratori i falsifikimeve ishte vendosur në një apartament në pronësi të shtetasit Lirim Shimi, në zonën e ish-restorant durrësit në Tiranë.
Hetimet për këtë grup kriminal kanë nisur në mars të vitit 2019 dhe gjatë mbledhjes së provave është dokumentuar fakti se ata kryenin falsifikimin e pasaportave, patentave kartave të identitetit, certifikatave profesionale diplomave shkollore, etj.
Disa prej dokumenteve falsifikoheshin me qëllim udhëtimin e parregullt të shtetasve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, duke paguar nga 1 deri në 5 mijë euro.