Avokati i Dejan Pantiçit, Nebojsha Vllaiç, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se klientit të tij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

“Policia [e Kosovës] është e detyruar që të transferojë Pantiçin në adresën ku ai jeton”, tha ai.

Pantiç, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Arrestimi i Pantiçit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Për shkak të ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë konfirmuar se Pantiç po mbahet në një stacion policor afër Jarinjës. Kosova ka kërkuar ndihmën e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) për transferimin e Pantiçit.

Artikulli paraprakALARM PËR BOMBË NË AEROPORTIN E PRISHTINËS
Artikulli tjetërKËRCËNIM ME BOMBË NË AEROPORTIN E PRISHTINËS, POLICIA: ALARM I RREMË ME QËLLIME TË CAKTUARA