Kukësi vuan shumë ndaj Skënderbeut, në ndeshjen e zhvilluar në “Loro Boriçi” të Shkodrës, por në fund fiton 1-0, edhe pse pjesën më të madhe luajti me 10 vetë. Tri pikë me shumë vlerë për verilindorët në këtë stacion të garës, duke i bërë presion Tiranës në krye.

Në minutën e 36-të ishte një gafë e pafalshme në mbrojtje e Kukësit! Përfiton Mensah që nis një kundërsulm të shpejtë, ndërkohë që portieri Tafas braktis portën duke shkaktuar faull jashtë zonës. Portieri i Kukësit ndëshkohet me karton të kuq dhe lë skuadrën me 10 lojtarë!

Në minutën e 40-të traversa i mohon golin e avantazhit Skënderbeut, pas tentativës së Marës nga goditja e dënimit, fal edhe devijimit të Xhikës. Por shtylla i vjen në ndihmë edhe Skënderbeut katër minuta më pas. Pas gjuajtjes së Taipit brenda zonës, topi u devijua nga Sadriu dhe u ndal në shtyllë. Pjesa e parë mbyllet 0-0.

Në të dytën vendos goli i Vasil Shkurtaj në minutën e 78-të, që shënon me prekjen e parë të topit. Rikthim ëndrrash për sulmuesin! Asist fantastik i Gjelbërim Taipit, teksa Shkurtaj nuk fal duke e dërguar topin poshtë këmbëve të Rexhepit. Kukësi mbron avantazhin deri në fund.

Artikulli paraprakBILANCI I COVID NË VEND/ IDENTIFIKOHEN 1,658 RASTE TË REJA DHE 8 VIKTIMA NË 24 ORËT E FUNDIT
Artikulli tjetërCOVID-19 NË ITALI, MBI 138 MIJË TË INFEKTUAR DHE 227 VIKTIMA GJATË 24 ORËVE TË FUNDIT