Një 62-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi akuzohet se u ndryshonte datën e skadencës produkteve ushqimore, të cilat i shiste si produkte bio.
Është arrestuar Mihal Kote, 62 vjeç, pasi nga kontrolli i ushtruar në biznesin e tij u konstatua se kishte të ndryshuara datat e skadencës të disa produkteve që prodhonte, kishte paraqitur të rremë etiketimin e disa produkteve ushqimore që shiste dhe disa produkte të tjera i kishte të papajisura me fatura tatimore me TVSH.
Kotes i janë sekuestruar një sasi e madhe djathi dhe vaj ulliri, produkte të cilave i kishte falsifikuar datën e skandencës. Ndërkohë që djathin e lopës ua shiste si djath dhie. Ai kishte bërë gati vaji me paketim 1 litër dhe 750 ml për t’i hedhur në treg me mbishkrimin ‘vaj bio nga ullinjtë e Sarandës’
Mësohet se përmes subjektit ‘Saranda Al”, që tregton produkte bulmeti dhe vaj sallate e ulliri, Kote falsifikonte gjithçka dhe e tregtonte jashtë standardeve të konsumit. Në ambientet e këtij subjekti mblidhej vaj luledielli i skaduar, pa etiketë dhe riambalazhohej me etiketë të re nën emrin “Saranda Al” me pronar Mihal Kote.
Po kështu kackavalli i grirë prodhohet nga djathi i mykur, që pastrohej e grihej, për t’u rihedhur në treg nga “Saranda Al”.
Mbi Mihal Koten tashmë rëndojnë akuzat për ‘mashtrim’, ‘mospagim taksash dhe tatimesh’ dhe ‘fshehje të ardhurash’.