Rritja e çmimit të karburanteve sidomos gjatë muajit shtator, ka bërë që Konfindustria të kërkojë ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë për të zbutur pasojat e rritjes së pakontrolluar të çmimit të karburanteve, në të kundërt pasojat negative për vendin do të jenë të pallogaritshme. Duke i konsideruar çmimet e karburanteve si më të shtrenjta në Europë, Konfindustria shprehet se ka përgatitur një pakete propozimesh për institucionet për të  zbutur pasojat e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare të karburanteve në vendin tonë.

“Konfindustria i kërkon vendimmarrjes politike shqiptare përfshi opozitën, Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverisë, të marrin sa më shpejt masat e nevojshme për të zbutur pasojat e rritjes së pakontrolluar të çmimit të karburanteve. Rritja e çmimeve të karburanteve rrezikon të marri përmasat e një krize të vërtetë energjetike në vitin 2021-2022 me pasoja të pallogaritshme negative për vendin. Konfindustria ka përgatitur paketën e plotë të propozimeve të saj institucionale, fiskale dhe ekonomike  lidhur me ndërhyrjet e domosdoshme, që duhen bërë në tregun e karburanteve për të  zbutur pasojat e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.  Konfindustria do të paraqesë institucionalisht para vendimarrjes politike, të shumicës dhe pakicës në Kuvendin e Shqipërisë, paketën e kërkesave për përmirësimin e ndërtimit dhe funksionimit të sotëm të tregut të karburanteve. Në mungesë të marrjes së veprimeve të shpejta dhe profesionale nga institucionet shtetërore biznesi, qytetarët dhe ekonomia kombëtare do të përballet me kosto shtesë nga rritja e çmimeve të importuara nga tregjet ndërkombëtare”,thuhet në njoftimin e Konfindustrisë e cila shprehu shqetësimin ku thekson se ka mungesë të plotë të përgjegjësisë së institucioneve shtetërore lidhur me rritjen e fortë të çmimeve të karburanteve dhe pasojave shkatërruese të tyre që lënë për biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare. Një ditë më parë u vu re se krahasuar me vitin e kaluar kur çmimet pësuan rënie për shkak të mungesës së konsumit, shtrenjtimi për naftën është me 15 deri në 25 lekë për litër. Edhe pse vëmendja kryesisht përqendrohet tek çmimi i naftës dhe i benzinës, shtrenjtim të ndjeshëm ka pësuar edhe gazi.

Artikulli paraprakSKENDERBEU-VLLAZNIA 0-0, BRDARIÇ: MUND TË BËNIM MË SHUMË
Artikulli tjetërKOMBËTARJA, TRAJNERI REJA PUBLIKON EMRAT E LOJTARËVE