Më pak se 11 muaj në detyrë Gledis Nano u shkarkua me një vendim qeverie ditën e sotme pasi ‘nuk realizoi objektivat’. Ngjarjet e fundit në vend, vrasje, plagosje etj, me sa duket ishin dhe arsyeja e shkarkimit.
41-vjeçari Nano e mori detyrën më 6 tetor të vitit të kaluar, pasi vinte nga një karrierë brilante prej 20-vitesh në Policinë e Shtetit duke pasuar Ardi Veliun.
5 vitet e fundit para se të emërohej drejtori i policisë së Shtetit, i ka pasur në krye të Antiterrorit, ku ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ka udhëhequr operacione të vështira, siç ishte riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë nga kampi i ferrit në Siri “Al-Hol”, zbulimi i një celule terroriste që planifikonte sulme në Tiranë, dëbimi i diplomatëve iranianë, etj.
Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia.
Nano e nisi karrierën e tij në Policinë e Korçës, më pas ka drejtuar sektorin e Krimeve në Policinë e Vlorës, e më pas është emëruar në Tiranë. Në vitit 2013, ai u mor me hetimin e dosjes së “Imamëve”.
Gjatë viteve të karrierës, Gledis Nano është vlerësuar herë pas here nga Policia e Shtetit dhe së fundmi në gusht të vitit të kaluar u vlerësua dhe nga ambasada amerikane me certifikate vlerësimi.
Gledis Nano mbante gradën “drejtues i parë” dhe pas emërimit në krye të Policisë së Shtetit mori gradën “drejtues madhor”.