Katër fëmijët dhe gruaja me karrocë që u shpëtuan ditën e djeshme nga kampi famëkeq i Al-Hol në Siri pritet të kthehen në atdhe ditën e sotme.
Kryeministri Rama i cili ndodhet në Liban pranë fëmijëve, do t’i shoqërojë ata drejt Shqipërisë e më pas për t’iu bashkuar familjeve të tyre.
Nga kampi në Siri u shpëtuan Floresha Rasha me fëmijët e saj Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha si edhe Endri Dumani. Fillimisht ishte Gjysmëhëna e Kuqe e cila ka shpërndarë edhe pamje nga operacioni e shpëtimit.
Mes të shpëtuarve është Endri Dumani, 11-vjeçari nga Dibra i cili kishte në këtë kamp 6 vite, e ndërsa motra e tij Eva ka refuzuar që të dalë, por motive ende të paqarta. Dyshohet se ajo është fshehur në momentin që trupat shqiptare kanë mbërritur në kamp, dhe nisur nga koha e kufizuar që kanë pasur, është bërë i pamundur shpëtimi i saj.
Operacioni ka zgjatur për plotë 45 ditë. Ajo ishte parashikuar që të finalizohej dy javë më parë por pati komplikime, për pasojë u shty në kohë. Dy prej fëmijëve të shpëtuar mësohet se kanë lindur në Siri, ndërsa gruaja e cila ndodhet në karrocë me rrota, Floresha Rasha ka mbetur e plagosur gjatë kohës që ka qëndruar në kamp.
Të shpëtuarit u janë nënshtruar të gjitha testeve mjekësore. Ato janë shoqëruar nga kampi për në Damask nga Gjysmëhëna e Kuqe.
Ndërkohë, mësohet se janë identifikuar 20 pjestarë, disa familje shqiptare në Al-Hol, gra dhe fëmijë të cilët janë transferuar në kampin ROJ, një kamp me më shumë siguri dhe kushte higjene më të mirë.
Me shpëtimin e Endri Dumanit nga kampi Al-Hol në Siri, më herët të Alvin Berishës, shumë fëmijë të tjerë shqiptarë presin të buzëqeshin.
Nga sa eshte raportuar, në atë kamp janë rreth 50 shqiptarë që pritet të shpëtohen. Në total me Alvin Berishën, shkon ne 26 numri i personave të nxjerrë nga kampi Al-Hol në 2 operacione.