Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka vizituar mëngjesin e sotëm familjen spanjolle e cila u sulmua nga pronari i lokalit një ditë më parë.

Në reagimin e tij, Klosi duke cituar kryefamiljarin Galdon, vuri theksin se një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë. Shqipëria është një vend mikpritës, tha Klosi, dhe se ajo ngjarje nuk është aspak panoramë e asaj çka përballen turistët e huaj që zgjedhin të pushojnë në bregdetin shqiptar.

Ndërkohë, ajo që vihet re nga fotot e publikuara, ministri i ka dhuruar një buqetë me lule, zonjës së familjes.

“Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve. Por siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë, sikundër vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtpërdrejtë të qeverisë”.

Kryefamiljari Galdon ka deklaruar se pavarësisht kësaj, ata do të rikthehen sërish në Shqipëri.

“Do doja të thosha që ne jemi të gjithë mirë familjarisht. Kisha nderin që pata një interes shumë të madh nga ana e autoriteteve tuaja dhe doja të thoja se një person i vetëm nuk e bën një vend. Këtë vit ne vendosëm t’ju vizitojmë dhe t’ju njohim më mirë. Pavarësisht kësaj eksperience që nuk do donim ta kalonim, ne jemi shumë të lumtur që erdhëm.

Ashtu siç u thashë autoriteteve tuaja, ne do të kthehemi sërish, duam ta njohim më tepër vendin tuaj. Kemi njohur shumë njerëz të mirë këtu. Shoferi dhe guida vendosën jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar tonën, kështu që ajo që mund të them është vetëm “faleminderit”, tha Galdon.

Ditën e djeshme 51-vjeçari M. K, pronari i nje restoranti  në Porto Palermo të Himarës, u konfliktua me turistët spanjollë, ndërsa ushtroi edhe dhunë ndaj tyre. Sakaq, sot policia njoftoi se 51-vjeçari është arrestuar, ndërsa rasti i është referuar prokurorisë.

Artikulli paraprakARRESTOHET 61-VJEÇARI I SHPALLUR NË KËRKIM, PJESË E GRUPIT QË SHKAKTUAN 18 MLN EURO EVAZION FISKAL
Artikulli tjetërGAZETARIA NË ZI, NDAHET NGA JETA FATOS BAXHAKU