Një 57 vjeçare nga Shkodra është plagosur të premten rreth orës 9 pas një përplasje në sheshin Balshaj te qytetit, zonë e njohur si “Eurodrini”.
Ajo ka marrë plagë serioze, ndërkohë që është dërguar me urgjencë drejt spitalit Rajonal të Shkodrës. Burimet nga vendi i ngjarjes thanë se gjatë kohës që po ecte me biçikletë, e moshuara është sulmuar nga disa qen endacakë. Në tentativë për t’u larguar, 57 vjeçarja është përplasur me një mjet që po ecte në drejtim të qendrës së qytetit.
Ka qenë një polic rrugor dhe disa kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar autoambulancën. Shtetësja në fjalë është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku po merr ndihmën mjekësore. Fatmirësisht ajo ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Ky nuk është rasti i parë i sulmeve nga qentë endacakë në qytetin e Shkodrës. Pranë urgjencës së spitalit thujase cdo ditë paraqiten raste të sulmeve nga qentë.