Talli priftërinjtë, Qeveria kërkon shkarkimin e imamit Kalaja
Një video e publikuar në rrjetin social Facebook ku duken dy futbollistët e kombëtares , Andi Lila dhe Armando Sadiku, duke vënë në lojë priftërinjtë grek në prani të imamit të xhamisë së “Rrugës Kavajës”, Ahmed Kalaja, mesa duket do t’i kushtojë shtrenjtë këtij të fundit. Komuniteti Shtetëror i Kulteve i ka kërkuar Komunitetit Mysliman shqiptar shkarkimin e Ahmed Kalasë nga detyra e imamit të xhamisë tek “Rruga e Kavajës” në kryeqytet. Ky fakt konfirmohet nga burime pranë Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilët bëjnë me dije se kërkesa ka ardhur me shkrim dhe për pritet që të merret një vendim në ditët pasardhëse. Në videon e publikuar në rrjetet sociale duket imami Ahmed Kalaja, që nxit dy lojtarët të tregojnë histori gazmore me priftërinj, gjatë kohës që Lila dhe Sadiku luanin në Greqi. Më herët imami Ahmed Kalaja ka kërkuar falje për veprimin e tij, ndërkohë të njëjtën gje ka bërë edhe futbollisti Andi Lila, i cili nga ana e tij u kryqëzua nga mediat greke.