Tiranë – U vetëplagos, në pranga 17-vjeçari dhe shoku që fshehu armën
Arrestohet adoleshenti me iniciale R.M,17 vjeç që u vetëplagos sot aksidentalisht në afërsi të Parlamentit. Sëbashku me 17-vjeçarin, blutë kanë vënë në pranga edhe shokun e tij M. Xh, 17 vjeç, i cili pas ngjarjes u arratis me pistoletën e shokut për ta fshehur armën që ishte pa leje. Ngjarja u regjistrua rreth ores 12.30 në ambjentet e brendshme të një lokali në rrugën “Xhorxh W Bush”. Dy adoleshentët kanë qënë të ulur në katin e tretë në një tavolinë të këtij lokali dhe për një moment shtetasi R.M ka hapur çantën e tij personale, ku brenda të cilës kishte një pistoletë të llojit “TT”, të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente dhe nga pakujdesia si pasojë e një shkrepje tē pa vullnetshme është vetëplagosur në këmbën e majtë, pa rrezik për jetën. Ndërkohë shoku i tij me të cilin ishte në tavolinë shtetasi M. Xh, ka marrë armën dhe është larguar. Nga ana e sherbimeve të policisë është bërë e mundur kapja e shtetasit M. Xh, si dhe sekuestrimi në cilesinë e provës materiale i pistoletës tip “TT”. Materialet i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278 i K.Penal për shtetasin R.M dhe për veprat penale “Moskallezim krimi” dhe “ Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 300 dhe 301 të Kodit Penal për shtetasin M. XH.