Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekoroi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Agur Vrenozin, 54-vjeçarin që u vra gjatë tentativës për të ndaluar një grabitje në Fier.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i akordoi sot më 5 mars 2018, me numër dekreti 10736 Agur Vrenozit (pas vdekjes) “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” për aktin e tij vetmohues në mbrojtje të jetës së bashkëqytetarëve; për veprimin heroik e sublim, frymëzues për mbarë shoqërinë për të reaguar në përballjen me dhunën, krimin e rrezikun për jetën, paqen sociale, pronën e sigurinë qytetare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Meta po ashtu, nëpërmjet këshilltarit të tij për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani, i shprehu dje ngushëllimet dhe solidaritetin e tij, familjes së qytetarit Agur Vrenozi, i cili flijoi jetën në betejë me bandat e krimit.

Më herët të hënën, Kuvendi mbajti 1 minutë heshte në nder të Vrenozit me propozim të deputetit të PD-së, Luan Baçi.

“Unë do të propozoja që ky qytetar i nderuar të shpallej edhe dëshmor për veprimin që ka kryer. Do t’i kërkoja parlamentit të nderuar të mbante 1 minutë heshtje në nder të aktit të tij heroik”, tha Baçi.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi: “Le të nderojmë me 1 minutë heshtje aktin qytetar të Agur Vrenozit. U Prehtë në paqe!”

Artikulli paraprakKESH INFORMON PËR SHKARKIMET E HEC NË DRIN
Artikulli tjetërPARTIZANI SHKARKON NGA DETYRA TRAJNERIN SULEJMAN STAROVA