Policia greke ka arrestuar 30 persona, 20 prej të cilëve janë shqiptarë.
Ata akuzohen si pjesëtarë të një bande që kryente vjedhje ndaj pasagjerëve të transportit publik.
Mediet greke shkruajnë se të arrestuarit janë 20 shqiptarë, 8 pakistanezë, 1 rumun dhe 1 nga Bangladeshi.
Njëkohësisht janë identifikuar dhe shpallur në këkrim edhe 9 persona të tjerë gjithashtu me kombësi të huaj. Ndaj tyre është ngritur akuza e organizatës kriminale.
Sipas ELAS, të akuzuarit që nga fillimi i tetorit 2021, kishin krijuar një organizatë kriminale të strukturuar në mënyrë hierarkike dhe kishin role të dallueshme të ndara në nëngrupe. Qëllimi ishte vjedhja e përditshme e pasagjerëve në transportin publik (autobusët e qytetit, karroca, metro).
Si vepronin
Anëtarët drejtues zgjidhnin “viktimat” e tyre të mundshme sipas shkallës së lehtësisë së vjedhjes.
Ata zgjidhnin vende ku nuk kishte kamera sigurie dhe përdornin shprehje të veçanta kodimi në komunikimet e tyre telefonike. Nga hetimet e deritanishme policore janë hetuar 81 vjedhje ndaj pasagjerëve, me përfitim financiar që kalon sipas ELAS shumën e 50 mijë eurove.
Çfarë gjeti policia
Nga kontrollet e kryera në 20 shtëpi të anëtarëve të organizatës kriminale , si dhe në 2 dyqane të hajdutëve, ndër të tjera u gjetën dhe sekuestruan: 10 laptopë, 83 celularë, 11 ora, 5 kuleta, 3 çanta, byzylyk femrash me vlerë 3070 euro, 5 vetura private, 2 motoçikleta, një sërë aksesorësh për celularë, tabletë dhe laptopë, 308 pako për lidhje telefonike, një sasi e vogël kanabis të papërpunuar, si dhe një sërë dokumentesh, shënime të shkruara me dorë, kartela dhe fatura të transportit publik.
Shumica e anëtarëve rezultuan të arrestuar më parë për vepra të ngjashme.