66 vjeçari Muhamet Tahiri nga fshati Ganjollë i Njësisë Administrative Gur i Zi, i cili humbi kontaktet me familjarët 2 ditë më parë është gjetur i pajetë mesditën e së dielës në malin e Ganjollës, rreth 1 km larg banesës së tij.
Tahiri u gjet në mesditë nga vetë familjarët, të cilët ishin në kërkim të tij prej 40 orësh. 66 vjeçari pasi ka mbërritur në mal, pikërisht në tokën e tij, ka përdorur një tel me gjatësi rreth 1 metër, rripin e pantallonave dhe një litar të hollë për t’u vetëvarur. Teli ishte i lidhur në një pemë të shkurtër, ndërsa viktima është gjetur gjysmë i shtrirë.
Akoma nuk dihen shkaqet konkrete që çuan 66 vjeçarin në vetëvrasje, ndërsa familjarët bëjnë me dije se ditët e fundit po kalonte një gjendje të rënduar psikologjike. Sipas këtyre të fundit arsyeja që e ka çuar të vrasë veten është humbja e një çështjeje gjyqësore, ç’ka ka ndikuar që Tahiri të mos merrte masën e pensionit.
Ndërkohë, para 6 vitesh Muhamet Tahiri kishte humbur në një aksident automobilistik njërin nga djemtë si dhe prej 4 muajsh jetonte pa energji elektrike, shkaqe të tjera që sipas familjarëve e kanë çuar deri në vetëvrasje. Grupi hetimor, i cili mbërriti në vendin e ngjarjes bëri matjet e nevojshme si dhe verifikimin rrethanave të vetëvrasjes. Edhe pse 2 orë me vonesë, në vendin e ngjarjes mbërriti urgjenca e spitalit, e cila u përdor për të dërguar trupin e pajetë të viktimës deri në ambientet e morgut.