Java e parë e fazës së tretë të kampionatit të moshave, nuk ka dhuruar një fitore për Vllaznia U-17. Ndonëse luante me skuadrën e vendit të parafundit, Akademinë e Futbollit, nuk ka shkuar më shumë sesa barazimi 1-1.

Pjesa e parë e ndeshjes, pavarësisht rasteve të krijuara, nuk ka patur gol. Ndërkohë në të dytën, Ndreaj ka shënuar për Akademinë e Futbollit në minutën e 61-të duke shtangur në njëfarë mënyre ekipin shkodran. Megjithatë përpjekjet e tij për të vazhduar dhe janë konkretizuar vetëm në minutat e fundit të ndeshjes.

Autor i golit të barazimit ka qenë pikërisht mesfushori Olsi Mali, një futbollist i cili ka shënuar jo pak gola për Vllaznia U-17 në ndeshjet e fundit.

 

Përfundimisht barazim 1-1, një rezultat që nuk konsiderohet aspak pozitiv për ekipin shkodran. Kuqeblutë e trajnerit Zhejani janë tashmë në kuotën e 42 pikëve dhe mbajnë vendin e dytë në renditje, duke qenë të shkëputur 6 pikë nga Tirana e vendit të parë dhe 8 pikë nga Kukësi i vendit të tretë.

Edhe Vllaznia U-19 me pak vështirësi ka arritur një tjetër fitore në kampionat. Këtë herë ndaj ekipit të Internacionalit dhe në fund të 90 minutave të luajtur në “Reshit Rusi” është sigluar rezultati 2-1. Ndeshja nuk ka nisur mirë për ekipin vendas. Që në minutën e tretë ka qenë ekipi i Internacionalit që ka shënuar me anë të Jovanit.

Një gol që ka befasuar futbollistët e Vllaznisë të cilët pavarësisht përpjekjeve, e kanë patur të vështirë të shkojnë tek goli. Pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e miqve. Por në fillimin e së dytës,

 

kuqeblutë kanë shënuar golin e barazimit me anë të kapitenit Rahova ndërsa 10 minuta më vonë, ka qenë Stafa ai që ka shënuar golin e dytë dhe të fitores për ekipin e tij.

Përfundimisht 2-1 për Vllaznia U-19 që vazhdon të kryesojë me meritë renditjen e grupit A të këtij kampionati por ndeshja  tregoi se në rast nënvlerësimi të kundërshtarëve, mund ta pësojnë.

 

Artikulli paraprakHANDBALL, VLLAZNIA SHPALLET NËNKAMPIONE
Artikulli tjetërPROTESTA NË KUKËS, REAGIMET E SHKODRANËVE