Besimtarë të krishterë të qytetit të Shkodrës, si dhe të rrethinave, ishin pjesë e një marshimi tradicional që Kisha Katolike organizon për çdo vit në mes të muajit mars në malin e Taraboshit në kohën e kreshmëve.
Udha e Kryqit është një ritual i përvitshëm që kremtohet nga të krishterët përpara festës së Pashkëve që shënon ringjalljen dhe fitoren e jetës mbi vdekjen. Famullitari i Shkodrës Dom Artur Jaku përmendi mundimet e Jezusit.
Udha e Kryqit vjen me 14 ndalesa dhe në secilën prej tyre besimtarët bëjnë lutje dhe përkujtohen jo vetëm mundimet e Jezusit por edhe shërbejnë si një forcë tek besimtarët e shumtë për të përballuar vështirësitë e jetës. Lutja e Udhës së Kryqit nisi që nga Kisha e Zojës në hyrje të qytetit për të përfunduar me ndalesën e 14-të në malin e Taraboshit.