Ka nisur mbërritja e disa prej liderëve të Ballkanit në “Vila 30”, aty ku do të zhvillohet takimi joformal në kryeqytetin tonë. Ndër të parët që ka mbërritur në takim, është kryeministrja e Serbisë dhe ajo e Bosnjë-Hercegovinës.

I pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

Takimi, që do të mbahet te ‘Vila 30’ është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytet, më 16 tetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit këtë vit kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë. Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, as ky takim joformal nuk pritet të ulë në një tryezë kreun e ekzekutivit shqiptar, Rama, dhe homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.

Një projektstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, si dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor, i ka rritur tensionet mes Ramës dhe Kurtit, të cilët kanë preferuar të argumentojnë me njëri-tjetrin nga distanca, përmes deklaratave.

Mospajtimet mes dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Rama u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, sipas një njoftimi nga zyra e tij, sot do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri helenik, George Papandreou. Në takimin e së hënës mes udhëheqësve të rajonit, Serbia pritet të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiç.

Artikulli paraprakZBULOHEN PARCELA ME DROGË NË FSHATRA TË LEZHËS, ASGJËSOHEN 1061 RRËNJË KANABISI
Artikulli tjetër‘NON GRATA’ NGA BRITANIA E MADHE, BERISHA: VENDIMI ËSHTË BAZUAR NË TRILLIME, PADITA AMBASADORIN E BRITANISË PËR SHPIFJE