Udhëhoqi KFOR-in në çlirimin e Kosovës, Thaçi nderon Reinhardt
Presidenti Hashim Thaçi ka dekoruar sot ish-komandantin e KFOR-it, Klaus Reinhardt, me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë. Kreu i shtetit ka thënë se gjenerali Reinhardt është njeriu i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovën e pasluftës. “Gjenerali Reinhardt është gjenerali i paqes, stabilitetit dhe fillimit të përbashkët të ndërtimit të institucioneve të reja në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi. Nga ana tjetër, ish-komandanti i KFOR-it, Klaus Reinhardt, është shprehur shumë krenar dhe i emocionuar me ndarjen e kësaj medalje për të, për të cilën ka thënë se asnjëherë nuk e ka pritur. “Unë isha 17 vjet më parë këtu. Në atë kohë nuk kishte asgjë, asnjë shkollë, asnjë spital, kaos. Tani, pas 17 viteve, po i shoh ndryshimet rrënjësore. Jam shumë krenar që kam ndihmuar sadopak në këtë. Jam shumë krenar që kam punuar me juve. Keni bërë një punë shumë të madhe në promovimin e Kosovës”, ka thënë gjenerali Reinhardt. Sipas gjeneralit Reinhardt, Kosova ka qenë krejt një tjetër vend dhe është dashur të riorganizohet. “Kemi ndërtuar një qeveri në atë kohë me presidentin e sotshëm të Kosovës. Nëse sot shohim se ku qëndron shteti i juaj, është bërë një përparim shumë i madh përpara. Ju keni arritur që nga një pjesë e Serbisë të ndërtoni një shtet që funksionon. Ai funksionon, sepse keni një president, i cili bashkë me tjerët kanë punuar dhe asnjëherë nuk janë dorëzuar për t’i shtyrë gjerat përpara”, ka thënë gjenerali Reinhardt. Presidenti Thaçi e ka falënderuar gjeneralin Reinhardt për angazhimin e tij maksimal dhe historik për paqen në vend, për ndërtimin e shoqërisë shumetnike dhe integrimin e të gjithëve në institucionet e vendit.