Pse udhëtojnë shqiptarët rezidente brenda vendit? Është kjo pyetja që ngre publikimi i Institutit të Statistikave për turizmin në vitin 2018. Në ndarjen për karakteristikat kryesore të udhëtimeve të shtetasve shqiptarë brenda vendit thuhet se 58 për qind udhëtojnë për të shkuar tek të afërm ose miq, 24 për qind për pushime dhe kohë të lirë, 10 për qind biznes dhe 8 për qind për arsye të tjera.

“Për vitin 2017, përqindjet më të larta të udhëtimeve të kryera për qëllimin ‘Pushime dhe kohë e lirë” janë regjistruar në Vlorë (35 %), ndërsa për kategorinë ‘Vizita te të afërm dhe miq’ dhe udhëtimeve për qëllime ‘Biznesi’ destinacionin e preferuar e kanë pasur drejt qarkut të Tiranës, respektivisht me 29 % dhe 32 % te udhëtimeve” vlerëson INSTAT.

Tiranasit, durrsakët dhe korçarët janë ata që presin edhe më shumë të afërm e miq. Kjo pasi parë më në detaj rezulton që 59 për qind e udhëtimeve të kryera drejt Durrësit kanë pasur si qëllim vizita tek të afërmit dhe miqtë. Në po të njëjtin nivel është edhe Tirana ndërkohë që 50 për qind e udhëtimeve të bëra drejt Korçës kanë qenë tek të afërmit dhe miqtë.

Kur vjen puna tek pushimet dhe koha e lirë, shqiptarët preferojnë Vlorën. INSTAT raporton se 64 për qind e udhëtimeve drejt këtij qyteti është bërë pikërisht për këtë arsye ndërkohë që drejt Durrësit dhe Korçës 35 për qind e udhëtimeve kanë si qëllim pushimet dhe kohën e lirë.

Në Tiranë për këtë qëllim ka qenë vetëm 13 për qind e udhëtimeve. Për biznes ashtu sikurse pritej Tirana është qyteti drejt të cilit është udhëtuar më shumë për këtë arsye. Rreth 11 për qind e udhëtimeve të bëra janë për qëllime biznesi ndërkohë që edhe drejt Vlorës 10 për qind e udhëtimeve kanë si arsye pikërisht biznesin.

Sa zgjat dhe sa kushton
Një tjetër element që ka analizuar INSTST lidhet me kohëzgjatjen e vizitave dhe koston e tyre. Kështu nga përpunimi i të dhënave ka rezultuar se udhëtimet e shqiptarëve rezidentë brenda vendit sipas shifrave të vitit 2017 kanë pasur një kohëzgjatje prej 3.6 net qëndrimi.

Lidhur me kostot një një udhëtim për qëllime biznesi kushton rreth 2,5 herë me shumë se për qëllime personale. Rreth 59 % e shpenzimeve për një udhëtimi shkon për akomodim dhe ushqim.

Artikulli paraprakLEGALIZIMET/ KOMPENSIMI I PRONARËVE, QEVERIA NDRYSHON VKM-TË E MËPARSHME
Artikulli tjetër200 PALË KËPUCË TË TË RINJVE TË LARGUAR PARA PARLAMENTIT, FRPD: S’DO LEJOJMË ZGJEDHJE NË 30 QERSHOR