Një 43-vjeçar shqiptar tentoi të udhëtojë me një pistoletë me vete nga Rinasi drejt Bolonjës në Itali, por u zbulua dhe arrestua nga policia në pikën kufiare.
Në një operacion policor të koduar “Short Weapon” nga Policia e Tiranës, Rinasit dhe Durrësit, u arrestua 43-vjeçari me inicialet B.L me banim në Durrës dhe u sekuestrua një armë zjarri “Pietro Berreta”, me një krehër me fishekë.
Policia e Shtetit njofton se “vijon operacioni, në bashkëpunim me homologët italianë, për zbardhjen e qëllimit të 43-vjeçarit që tentoi të udhëtonte me armë zjarri drejt Bolonjës”.
Arma u zbulua gjatë kontrollit me skaner të valixhes së dorës, ndërsa policia thotë se kishte marrë informacione që një person do udhëtonte me armë zjarri me vete drejt Italisë dhe e ka mbajtur në vëzhgim deri në momentin e futjes në skaner.
“Në bashkëpunim me Policinë e Durrësit u ushtrua kontroll në banesën e tij në Durrës dhe në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Dretorine e Policise Tiranë u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”.
Policia shqiptare në bashkëpunim me homologët italianë po vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për identifikimin e destinacionit dhe zbardhjen e qëllimit final që i arrestuari ka patur me këtë armë”, – njofton Policia e Shtetit