Sipas dy memorandumeve të nënshkruar nga Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, John Kelly, janë hartuar udhëzime të reja që synojnë ndalimin dhe dëbimin e emigrantëve që jetojnë në mënyrë të paligjshme në SHBA.

Udhëzimet që mbajnë datën e së premtes së kaluar, kërkojnë për të zbatuar direktivën e presidentit Donald Trump për të goditur emigracionin e paligjshëm. Sekretari Kelly përshkruan planet për të punësuar mijëra agjentë të tjerë të zbatimit të ligjit, për të zgjeruar listën e prioriteteve për emigrantët e shënuar për largim të menjëhershme dhe për të përdorur policinë vendore për të bërë arrestime. Udhëzimet e reja që po shqyrtohen u njoftuan nga Associated Press. Rritja e emigracionit të paligjshëm në kufirin jugor e ka bërë të vështirë punën e agjencive, ka shterur burimet federale dhe ka krijuar dobësi të sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, ” shkruan sekretari Kelly. Ai thotë se kalimet e paligjshme në kufirin jugor të SHBA-së kishin pësuar një rritje prej 10,000 në 15,000 persona në muaj nga 2015 deri 2016. Memorandumet nuk shfuqizojnë një program nga administrata Obama, që lejon të rinjtë që janë sjellë në vend ilegalisht si fëmijë për të qëndruar në SHBA. Presidenti Trump kishte thënë se do t’i jepte fund këtij programit, por në konferencën e tij për shtyp javën e kaluar ai u shpreh se programi do të vazhdojë. Duke u përpjekur të përmbushë premtimin e zotit Trump gjatë fushatës për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit meksikan, sekretari Kelly, përveç shtimit të agjentëve federalë, po i bën thirrje Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të fillojnë planifikimin, projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një muri, duke përfshirë ndriçimin dhe patrullimin e rrugëve hyrëse. Ai e cilëson murin si të nevojshme për të penguar imigracionin e paligjshëm dhe e quan atë një komponent kyç të strategjisë së përgjithshme të sigurisë kufitare të administratës Trump. Sekretari Kelly thotë se departamenti i Sigurisë Kombëtare do t’i kushtojë përparësi largimit të menjëherëshëm të atyre emigrantëve të paligjshëm që janë dënuar për një krim; janë akuzuar për një krim; kanë mashtruar për ndonjë çështje para një agjencie qeveritare; kanë shpërdorur ndonjë program lidhur me përfitimet publike; ose nuk kanë respektuar urdhrat për t’u larguar nga SHBA-ja. Joanne Lin, këshilltare e lartë legjislative e Unionit Amerikan për Liri Civile, i kritikoi udhëzimet e propozuara “ku procesi i rregullt, mirësjellja dhe arsyeja njerëzore trajtohen si pengesa në rrugën e deportimit në masë”, tha zonja Lin. “Administrata Trump synon të shkaktojë vuajtje për miliona familje emigrantësh në të gjithë vendin”, tha ajo në një deklaratë.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT, DITA ME VRANËSIRA
Artikulli tjetërPUBLIKOHET RAPORTI I KOMISIONIT PËR MATJEN E TERRITORIT