Tifozët e Vllaznisë janë dënuar me kusht deri në korrikun e 2026 për ndeshjet në transfertë. Ky është vendimi i UEFA-s për incidentet e ndodhura në Islandë. Në datën 17-korrik, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në UEFA mori vendim që tifozëria shkodrane të mos marrë pjesë dy vjet në ndeshjet në transfertë, por pezulloi vendimin, duke e kthyer në dënim me kusht. Nëse kjo shkelje përsëritet gjatë periudhës së monitorimit, atëherë ekipi shkodran do të luajë dy vite pa tifozë në ndeshjet jashtë “Loro Boriçit”. Në fakt, shkaku i gjithë kësaj gjëje të tillë ishte Valuri, që pas ndeshjes së parë me Vllazninë që përfundoi në shifrat 2-2 në Rekjavik, denoncoi kërcënimin me vdekje nga stafi i skuadrës shkodrane.

Gjatë atyre ditëve, sipas lajmeve të mediave të huaja dhe kryesisht atyre islandeze, bëhej me dije se për këtë rast kishin ndërhyrë UEFA dhe Interpoli. Incidentet në tribuna aludohet se janë pasuar me të tjera në ambientet e brendshme të stadiumit dhe pala islandeze ka denoncuar se ka marrë kërcënim me vdekje nga një pjesëtar i stafit të Vllaznisë. Në fakt, nisur edhe nga këto trazira që ndodhën në Islandë, ndeshja e kthimit mes Vllaznisë dhe Valurit u vlerësua shumë nga UEFA, e cila kishte sjellë në Shkodër tre oficerë sigurie, por me përjashtim të hedhjes së flakadanëve në fushë në fund të ndeshjes, gjithçka u mbyll brenda rregullave.

Artikulli paraprakHIPOTEKA, NDRYSHON LIGJI PËR KONTRATAT E POROSISË
Artikulli tjetërSHKODËR, PROTESTË KUNDËR KULLËS