UEFA ndëshkon Vllazninë. Klubit shkodran, sikur të mos i mjaftonte eliminimi nga Conference League, tashmë i duhet të paguajë edhe një shumë të konsiderueshme financiare në arkën e institucionit të futbollit europian pas vendimit të marrë nga Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës pranë UEFA-s. Nga sa mësohet, bëhet fjalë për parregullsitë e konstatuara nga delegati i ndeshjes Vllaznia-Valur, të luajtur me 18-korrik në stadiumin “Loro Boriçi”, e cila u mbyll me fitoren e thellë të miqve në shifrat 4-0. Në fundin e kësaj ndeshje, tifozët kuqeblu të indinjuar nga kjo humbje, kanë hedhur fishekzjarre dhe sende të tjera të forta në fushën e lojës.
Një gjë e tillë është shkruar edhe nga delegati i ndeshjes në raportin e dorëzuar në UEFA dhe si rrjedhojë, ky komisioni ka vendosur ta ndëshkojë klubin Vllaznia me një shumë prej 19.500-eurosh për hedhjen e sendeve në fushë. Kjo shumë duhet të paguhet në llogarinë e këtij institucioni nga shkodranët brenda 90-ditësh nga marrja e vendimit. Në këtë mënyrë, edhe njëherë tjetër Vllaznia ndëshkohet nga UEFA si rrjedhojë e sjelljes së gabuar të tifozëve të saj në shkallët e stadiumit.