Bilanci i OSHEE është rënduar se tepërmi për shkak se bashkitë dhe ujësjellsat në zotërimin e tyre nuk i shlyejnë faturat mujore te energjisë.
Ky detyrim arriti në vitin 2017 në 14.3 miliardë lekë ose 107 milionë euro, me një rritje 21 për qind në raport me vitin 2016. Me ujësjellësat që janë në administrim nga bashkitë situata është edhe më e rëndë, pasi kanë 85% të detyrimit total të shtetit ndaj OSHEE.
Ato arritën në fund të vitit 2017 në rreth 12,2 miliardë lekë nga të cilat, 7.6 miliardë lekë ishin principal dhe 4.5 miliardë lekë kamatëvonesa. Vetëm në vitin 2017 detyrimet e reja të ujësjellësve u rritën me 2.7 miliardë lekë.
Debitori më i madh është ujësjellësi i Durrësit me rreth 2,9 miliardë lekë ose 21 milionë euro, më pas ujësjellësi i Mallakastrës me 2.4 miliardë lekë ose rreth 20 milionë euro. Burimet sqarojnë se borxhi i ujësjellësit të Mallakastrës reflekton detyrimet e ARMO-s.
Gjithashtu një shumë detyrimesh prej 444 milionë lekësh u krijua nga ente të tjera shtetërore si spitalet, Autoriteti Rrugor Shqiptar, RTSH-ja, ndërmarrjet e trajtimit të studentëve etj.
Teksa borxhi i konsumatorëve familjarë ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi, pas një rritje galopante që pësuan këto detyrime gjatë periudhës 2009 – 2013, kategoritë e tjera të konsumatorëve, ku përfshihen bizneset private dhe entet shtetërorë kanë rritur më tej ekspozimin ndaj OSHEE-së.
Sipas të dhënave zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë, borxhet ndaj OSHEE në vitin 2017 arritën vlerën më të lartë historike në 72.8 miliardë lekë (543 milionë euro) me një rritje 3% nga viti i kaluar.
Vlera më e lartë e detyrimeve u shënua në vitin 2014 me 71.4 mld lekë.
Në vitin 2014, qeveria vuri në zbatim një plan për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura shtetërore. Nëpërmjet këtij plani u shuan detyrimet që institucionet shtetërore kishin ndaj kompanisë së Shpërndarjes.
Por që nga viti 2014, detyrimet që shteti dhe ndërmarrjet e tij kanë ndaj OSHEE-së janë rritur me 117%.