Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Qarku Shkodër vijon pastrimin e kanaleve për të përballuar reshjet e shiut që do të jenë gjatë sezonit të dimrit. UKQ sh.a kësaj here u angazhua për pastrimin e një prej katër kanaleve më të mëdha që mbledh ujërat e bardha të Shkodrës, në zonën jugore të qytetit në pjesën fundore të lagjes “Mark Lula”.
Ky kanal me një gjatësi 1 kilometër është tejet i rëndësishëm thotë drejtori teknik Lazër Pema, pasi bën të mundur kullimin e ujërave të shiut nga rrugët dhe sheshet e një pjese të konsiderueshme të qytetit të Shkodrës në mënyrë që të mos përmbyten apo edhe uji të kullojë në mënyrë të shpejtë në rastet e reshjeve të dendura të shiut. Drejtori teknik i UKQ sh.a, inxhinier Lazër Pema tha se kanali i ujërave të bardha ishte i mbushur jo vetëm me bimësi por edhe mbeturina të hedhura pa kriter nga persona të papërgjegjshëm. Kjo nuk do të lejohet që të ndodhë më.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime sh.a edhe më përpara ka marrë masat e duhura duke pastruar kanale, tubacione, puseta dhe kuneta në kuadër të planit për përballimin e reshjeve të shiut gjatë dimrit. Këto ndërhyrje të UKQ sh.a do të vijojnë pa ndërprerje në shërbim të qytetarëve.