Ukraina ka hedhur poshtë ultimatumin e Rusisë për të hequr dorë nga qyteti i Mariupolit. Deri në orën 03:00 të 21 marsit, Rusia i kishte lënë afat Kievit që të kthente një përgjigje zyrtare për atë që quante armëpushim, por në fakt ishte një dorëzim i Mariupolit. Nëse Kievi do të thoshte “po” atëherë nga ora 07:30-09:30 qytetarët që ndodheshin në qytet port do duhet të ulnin armët dhe të largoheshin nga vendi, por kjo “ofertë” e tyre u refuzua kategorikisht.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vijon të këmbëngul në negociata me Rusinë, duke thënë se Jerusalemi do të ishte “vendi i duhur për të gjetur paqen”.
“Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, po përpiqet të gjejë një mënyrë për të negociuar me Rusinë dhe ne i jemi mirënjohës atij. Jerusalemi është vendi i duhur për të gjetur paqen. Nëse është e mundur”, tha Zelensky, teksa edhe Zvicra është gati të presë bisedimet midis dy palëve.
Raundi i ri i bisedimeve pritet të zhvillohet sot, por online, siç është bërë dhe më herët.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë Poloninë më 25 mars, pas samitit të NATO-s në Bruksel dhe Këshillit Evropian për Ukrainën. Kështu bëhet e ditur në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.
Në Varshavë, Biden do të ketë një takim dypalësh me presidentin polak Andrej Duda. Teksa në orën 16:00 do të ketë një komunikim mes tij, presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz, kryeministrit italian Mario Draghi dhe kryeministrit britanik Boris Johnson.