Ulet borxhi publik. Statistika të ministrisë së financave tregojnë se në fund të vitit 2022 borxhi publik pësoi një ulje me 4.4% nëse e krahasojmë më një vit më parë. Kjo tregon se financat shqiptare kanë nisur stabilizimin pas tejkalimit të periudhës së pandemisë gjatë së cilës borxhi pësoi një rritje të fortë.
Aktulisht rezulton se viti i kaluar është mbyllur me një borxh që ka arritur në nivelin 68.8% nga 73.2% që ishte në 2021. Efekte pozitive në uljen e borxhit publik ka dhënë edhe niveli i nflacionit. Si pasojë e rritjes së çmimeve të ndikuara nga konflikti Rusi-Ukrainë në buxhet të ardhurat janë rritur me gati 13% në krahasim me një vit më parë. Sipas Ministrisë së Financave të ardhurat totale në buxhet të arkëtuara për vitin 2022 ishin 572.7 miliardë lekë, ose 62 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.Sipas programit ekonomik të ministrisë së financave 2024-2026 theksohet se konsolidimi fiskal dhe reduktimi i borxhit publik janë thelbësor për uljen e risqeve, të cilat pengojnë rritjen ekonomike dhe shkaktojnë paqëndrueshmëri makroekonomike.
Trendi rënës i nivelit të borxhit public pritet të përshpejtohet në vitet e ardhshme duke prekur nivelin 64 % në vitin 2026. Vlerësimet janë optimiste edhe në lidhje me nivelin e rritjes ekonomike.Ecuria ekonomike parashikohet në normën 2.6 përqind për vitin 2023 dhe parashikohet mesatarisht rreth 3.9 përqind në vit përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2024-2026.