Tatimi mbi vlerën e shtuar për akomodimin turistik në Shqipëri do të jetë 6 përqind, nga 20 që është aktualisht.
Qeveria ka vendosur në mbledhjen e fundit reduktimin e kësaj takse për hotelet me qëllim nxitjen sa më shumë të këtij sektori, i cili vitet e fundit është kthyer një nga mbështetësit kryesor të ekonomisë dhe nxitës i punësimit. Në 2016 të ardhurat nga turizmi në vendin tonë arritën një rekord prej 1.5 miliardë eurosh sipas Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë sipas Institutit të statistikave gjatë 2016, vendin tonë e vizituan 4.7 milionë udhëtarë, me një rritje prej 15% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Në të njëjtën mbledhje qeveria miratoi dëmshpërblimin e rreth 4000 familje që u dëmtuan nga përmbytjet në zonën e nën-Shkodrës në vitin 2010. Dëmi i vlerësuar në total është 1.1 miliardë lekë, por vetëm gjysma u likujdua nga qeveria e kaluar. Fondi do te jepet nga Korporata Elektro-Energjetike Shqiptare.