Policia e Malit të Zi ka gjetur pas afro dy javësh trupin e pajetë të shefit të antidrogës në policinë kufitare të Ulqinit dhe Tivarit Rudolf Elezoviç. Prej 27 majit të këtij viti Elezoviç kishte humbur kontaktet me familjen e tij. Që nga ai moment policia malazeze ka vijuar kontrollet për gjetjen e trupit të pajetë. Gjatë mbrëmjes së djeshme një trup i pajetë u gjet në qytetin e Ulqinit raporton media malazeze Vijesti në zonën e njohur si Shën Gjergji.
Trupi i pajetë sipas Vijestit ende nuk është identifikuar por sipas burimeve që ka media malazeze nga policia atje rezultatet paraprake të hetimit tregojnë se mund të jetë ish-shefi i policisë së Ulqinit Rudolf Elezoviç. Ajo që mbetet e çuditshme për t’u besuar qoftë për familjarët por edhe opinionin është fakti se sipas burimeve nga policia malazeze shkaku i vdekjes që përfundimisht do përcaktohet nga autopsia, nga hetimet paraprake të deritanishme rezulton të jetë vetëvrasje.
Rudolf Elezoviç deri më tani thuhej se mund të jetë vrarë nga bandat kriminale të Malit të Zi duke qenë se shefi i antidrogës ka qenë pjesë e operacionit në muajin shkurt ku u kapën 2.6 ton drogë në një kamion dhe u arrestuan 24 persona si dhe një muaj më pas u kapën edhe 500 kg marijuanë ndërsa edhe kohët e fundit ka patur në dorë një tjetër hetimet të trafikut të drogës.
Kjo ngutje e policisë malazeze dhe mediave atje për ta raportuar si vetëvrasje ende pa u kryer autopsia por edhe disa pista të dhëna deri më tani në mediat malazeze të pabazuara askund ku thuhej se Elezoviç ka ikur drejt Amerikës apo edhe se kjo ngjarje lidhet me
përfshirjen e tij në grupet kriminale të trafikut të drogës tregojnë një mungesë serioziteti si dhe ngrejnë dyshime në besueshmërinë e kësaj piste të dhënë deri më tani se Rudolf Elezoviç ka kryer vetëvrasje.
54 vjeçari është larguar nga banesa duke marrë vetëm celularin e tij dhe dyshohet se ka ardhur në drejt Shqipërisë përmes kufirit ujor dhe pasi ka takuar një person është larguar sërish ndërsa gjurma e fundit e celularit të tij rezulton në zonën kufitare ujore në afërsi të Pentari dhe Reçit që gjithashtu është afër me Shën Gjergjin ku u gjet trupi i pajetë që mendohet se është i Elezoviç.
Zhdukja e Elezoviç u raportua nga gruaja e tij Marina më 27 maj të këtij viti. 54 vjeçari shërbeu si shef i policisë së Ulqinit për gati gjashtë vjet, deri në vitin 2014. Më parë, ai gjithashtu ka punuar për disa vjet në pozicione menaxheriale në policinë e Ulqinit dhe sëfundmi ishte shefi i antidrogës në policinë kufitare të Ulqinit dhe Tivarit.