Bordet e Administrimit dhe Senatet e universiteteve duhet të miratojnë buxhetet, që i harton një person, administratori i Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL).

Pothuajse asnjë administrator, i zgjedhur me ligjin e ri të arsimit, nuk plotëson kriteret e ligjit. Por edhe auditimin e buxhetit e bën përsëri administrator, ose njësia e miratuar prej tij.

Ku është ministria përgjegjëse për Arsimin? Kush i kontrollon financat e universiteteve? Pse nuk raportohen me transparencë burimet e brendshme të financimit; si dhe ku përdoren të ardhurat dytësore të studentëve dhe të familjeve të tyre?

Pak fjalë, në vijim të një shkrimi të posaçëm të “Shqiptarja.com”, që ka publikuar bilancet e një universiteti, nga më problematikët, sa i përket administrimit në përgjithësi dhe atij financiar në veçanti.

“Shqiptarja.com”, me një artikull ekskluziv të pak ditëve më parë, vetëm sa i hapi “petët e lakrorit” të bilanceve financiare, mbi të cilat mund e duhet të funksionojë një institucion i arsimit të lartë. Asgjë nuk është thënë deri tani në këtë drejtim.

Bëmat duket se janë të jashtëzakonshme. “Nuk keni parë asgjë akoma”: kjo thënie e shumëkomentuar e kryeministrit aktual, në këtë fushë merr vlerën e saj kuptimplotë. Në fakt, as vetë kryeministri “nuk ka parë gjë akoma” kur vjen fjala për dritëhijet e mëdha të financave universitare.

Le të mos nxitohemi dhe të analizojmë hap pas hapi se si “rrjedhin” milionat e pakontrolluara në universitetet publike.

Ligji dhe financat e universiteteve
Në ligjin e arsimit të lartë (Nr. 80/2015) në nenin 43 të tij, pika 3 thuhet se “Dekanati harton planin strategjik të zhvillimit të njësisë kryesore, …etj”.

Plani financiar (pra buxheti, të ardhurat dhe shpenzimet e tij) janë e duhet të jenë pjesë e këtij plani strategjik. Nga një kërkim i thjeshtë në rrjet, në pothuajse të gjitha fakultetet, psh të Universitetit të Tiranës (dhe jo vetëm) nuk gjen të shkruar një “plan strategjik zhvillimi” të dekanateve.

Zhvillimi, si kusht, vjen nga financat dhe administrimi i tyre. Ligji i mësipërm ia jep këtë të drejtë funksionit të ri të “administratorit”, ose atij të dikurshëm të kancelarit.

Ky, pra administratori, sipas nenin 53 të ligjit në fjalë, në pikën 1 (a dhe b) të këtij neni, harton projektbuxhetin dhe propozon kriteret për administrimin e burimeve financiare dhe materiale të institucionit dhe ia jep ato për miratim Bordit të Administrimit. Por jo vetëm kaq! Edhe mbikëqyr shpërndarjen dhe zbatimin e tyre, pra të fondeve financiare.

Një parantezë këtu! “Administratori është autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të institucionit. Ai është përfaqësues ligjor i institucionit të arsimit të lartë për çështjet financiare dhe administrative”, -sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Më tej akoma: “Administratori duhet të ketë arsim të lartë, së paku në nivelin “Master i shkencave” në fushën e drejtësisë ose ekonomisë dhe përvojë pune, së paku shtatë vjet në këto fusha”.

Përpara se sa të dalim në një analizë konkrete të bilancit financiar, lipset të kujtojmë se kryeministrit të vendit, që po merret vrullshëm ditë për ditë me universitetet, i duhet jo vetëm të “shkarkojë” urgjentisht Bordet e Administrimit – sikundër ka deklaruar – por edhe të verifikojë se sa nga administratorët e zgjedhur me “konkurs” plotësojnë këtë kërkesë taksative të ligjit. Ne themi pothuajse asnjë! Kryeministri i ka mekanizmat ta verifikojë!

Transparenca e munguar e bilanceve financiare të IAL
Ligji për Arsimin e lartë, në nenin 3 të tij, iu jep institucioneve të arsimit të lartë (IAL), liri akademike dhe autonomi financiare.

Sipas pikës 3 të këtij neni “Autonomia financiare garantohet nëpërmjet së drejtës: a) për të krijuar të ardhura të ligjshme nga veprimtaritë e mësimdhënies, nga veprimtaritë kërkimore-shkencore, nga të drejtat intelektuale, nga markat dhe patentat, nga shërbimet, nga veprimtaritë artistike e sportive, si dhe nga veprimtari të tjera ekonomike, të cilat përdoren në përputhje me legjislacionin në fuqi;

b) për të përfituar fonde nga shteti dhe organizma të tjerë; c) për të caktuar rregullat e brendshme të financimit, të shpërndarjes dhe përdorimit të të ardhurave, sipas veprimtarisë dhe nevojave të institucionit; ç) për të përcaktuar tarifat e studimit, në përputhje me këtë ligj; d) për të administruar pasuritë”.

Nënpikat a) dhe c) mes të tjerash janë thelbi i kësaj autonomie financiare. Por duhet të ndjehesh i keqardhur që IAL-të në Shqipëri, në bilancet e tyre financiare, raportojnë vetëm të ardhurat nga buxheti dhe ato nga burimet dytësore (kuota dytësore). As që flitet për të ardhura të tjera të ligjshme!

Për universitetet sot, më të rëndësishme se sa fondet e garantuara të buxhetit, janë bërë të ardhurat që përcakton pika ç) e nenit të mësipërm!? Por edhe këto në mungesë të plotë transparence financiare!

Sikurse dihet, institucionet publike i deklarojnë bilancet në fund të çdo viti financiar. Madje, i bëjnë ato publike në faqet e tyre të web-it.

Subjektet ekonomike, publike e private, e bëjnë këtë gjë me detyrim ligjor, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Në të kundërtën, penaliteti ligjor po të mos e bëjnë është mjaft i “kripur”.

Bilancet janë publike dhe të aksesueshme nga kushdo që ka interes. Ndërsa universitetet në Shqipëri nuk kanë nxjerrë “duart nga xhepat” asnjëherë për të treguar se çfarë kanë në xhepa, çfarë kanë harxhuar dhe si e kanë bërë e pastaj, çfarë iu ka mbetur pa harxhuar.

Provoni të pyesni në një nga universitetet tona, për shembull, se “sa janë fondet dytësore”, pra “sa janë të ardhurat nga kuotat dytësore dhe si janë përdorur ato?”. S’keni për të mësuar asgjë, “opingën”, thotë populli!

Jo formalisht, mëson se fondet dytësore, mes tyre tarifat e shkollimit dhe të strehimit të studentëve, përdoren rëndom për të “blerë detergjentë”, – thotë një administrator universiteti, si dhe për të paguar deri në 30 për qind të pagës së administratës publike të universitetit.

Fondi i pagave, i përcaktuar nga buxheti i shtetit, nuk mjafton!? Por këtu djalli fle në detaje! Vini re bilancin e UT: Nuk po shkojmë në çdo fakultet për të parë se si menaxhohet fondi i pagave dhe as të ardhurat dytësore! Po ndalojmë vetëm tek një prej tyre: Fakulteti i Shkencave Sociale.

Në buxhetin e 2018-ës për këtë fakultet janë planifikuar në buxhet, për shembull, pagat për degën e projekteve, sigurimit të cilësisë dhe informacionit për funksionet “kryetar dege”, “specialist projektesh”. Sipas buxhetit faktik, këto funksione janë paguar.

Por, në fakt, edhe pse fondet janë marrë, ende nuk janë zhvilluar konkurset për të gjetur personat e planifikuar për pagat e miratuara nga buxheti i shtetit i vitit 2018!? Kush i ka përvetësuar shumat e planifikuara dhe të kaluara në thesar për këto funksione?

Ka akoma në këtë Fakultet!
Në degën e informacionit dhe të teknologjisë, ka një fond page për “specialist i teknologjisë informatike” (ec e mere vesh se çfarë funksioni është ky!), por nuk është zhvilluar ende konkursi për të gjetur personin e përshtatshëm (!). Edhe kjo nuk ka rëndësi, sakaq paga ka kaluar nga thesari në drejtim të universitetit. Auditi i brendshëm mund ta gjejë se kush është paguar me këtë pagë!

Ndërkohë, gojët e liga në këtë universitet thonë se numri i pedagogëve të jashtëm është mbi 200!

Në tabelat e bilancit (formulari 4) për këtë fakultet janë paguar, për vitin 2018, 121 punonjës në organikë dhe 198 punonjës me kontratë, që do të thotë gjithsej 319 punonjës (përfshirë edhe ata, për të cilët nuk janë zhvilluar akoma konkurset). Vini re se përsëri janë më shumë punonjës me kontratë se sa punonjës organikë!!

E njëjta kërkesë për verifikim mund t’iu adresohet të gjitha fakulteteve të UT për të parë se ku janë 2.405 punonjësit që paguhen nga buxheti dhe nga studentët. Në kërkimet tona nuk është bërë e mundur të gjendet asnjë e dhënë, se sa prej tyre paguhen nga arka e shtetit dhe sa nga xhepi i studentit dhe përse numri i tyre ndryshon nga viti në vit, pa argumentuar shtesat e përvitshme të personelit.

Po kjo kërkon një tjetër shkrim, për të parë se kush dhe si rekruton personel, por sidomos si “përzgjidhen” dhe paguhen “pedagogët e jashtëm”.

Buxhetet dhe auditimi i tyre
Në shkresën me nr 1237/6 prot, datë 26.03.2018, firmosur nga Prof. Dr Mynyr Koni, në emër të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, i kërkohet Bordit të Administrimit të miratojë projektbuxhetin e vitit 2018, duke iu raportuar se nuk është realizuar buxheti i vitit 2017.

Kërkesa për vitin 2018 ka qënë 1,443 miliardë lekë, ndërsa janë planifikuar nga buxheti vetëm 1,022 miliardë lekë. Fakulteti i Drejtësisë e ka realizuar pothuajse 100 për qind planin e miratuar të buxhetit 2017 dhe ka kërkuar pothuajse dyfishim për vitin 2018, por nuk ka mund të marrë më shumë se 96 milionë lekë;

Fakulteti i Ekonomisë, nga 177,5 milionë lekë të përdorura për 2017-ën, ka kërkuar 308 milionë, por nuk ka marrë më shumë se 179,4 milionë; Fakulteti i Shkencave Sociale ka kërkuar 146 milionë lekë financim për 2018-ën, por ka marrë aq sa ka shpenzuar në vitin 2017, e kështu me rradhë.

I renditëm këto shifra për të treguar, jo thjesht se sa janë buxhetet e disa prej fakulteteve të UT, por për të kërkuar dhe gjetur se si janë menaxhuar këto burime financiare nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Në tërësi, nuk gjen asnjë raport auditi të brendshëm që të tregojë se përse nuk janë realizuar shpenzimet nga fondet e planifikuara, qoftë për paga, apo edhe për investime.

Formulari nr. 2, që shoqëron bilancin e vitit 2018, vetëm sa detajon shpenzimet korrente të Universitetit të Tiranës, që janë plot 170.015 milionë lekë, nga 999,54 milionë lekë të harxhuara gjithsej për vitin 2017. Vini re: duhet transparencë e plotë për të mësuar se ku kanë shkuar 830 milionë lekët e mbetura nga financimi buxhetor!

Po të tjerat, ato nga kuotat dytësore?
Ja përse një auditim i brendshëm, sipas ligjit, por edhe një kontroll rigoroz edhe nga audituesit e Ministrisë së Arsimit, mund të tregojnë shumë lidhur me përdorimin e parasë publike në universitetet tona! Por ky kontroll financiar mungon.

Ligji i Arsimit të Lartë (neni 116) saktëson se “Kontrolli dhe auditimi i jashtëm në institucionet e arsimit të lartë kryhen nga auditues të brendshëm ose të jashtëm, të përzgjedhur nga ministria përgjegjëse për arsimin nga lista e përditësuar çdo vit nga Ministria e Financave”.

Ligji, në fakt, auditimin e brendshëm e autorizon ta organizojë ai që harton buxhetin dhe shpenzon buxhetin, pra administratori!?

Kjo gjendje e mosfunksionimit të ligjit, e mosushtrimit të detyrave administrative, e mungesës së kontrollit financiar, edhe aty ku ka autonomi financiare, ka bërë atë, që dritëhijet e financave universitare të jenë përherë e më të dukshme, më të frikshme dhe, madje, jo vetëm një gropë financiare, të cilës i duhen gjetur përgjegjësit, por edhe një fushë, ku drejtësia e re duhet të bëjë transparencën e plotë ligjore.

Artikulli paraprakFAMILJA E VARFËR TENTON TË VETËFLIJOHET NGA KATI I 8-TË I PALLATIT
Artikulli tjetërVDEKJA E MESUESES, REAGON KONFEDERATA E SINDIKATAVE: KËMBANË ALARMI PËR GJENDJEN E ARSIMIT