Universiteti i Mjekësisë, Bordi: Karabina po na uzurpon

Zëvendësimi i 4 anëtareve të Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë me urdhër të Ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina, nuk është pritur mirë nga disa anëtarë të bordit. Ata e konsiderojnë zëvendësimin si të paligjshëm dhe si një tentativë të Ministres teknike për të uzurpuar Universitetin e Mjekësisë. Sokol Buba, anëtar i Bordit të Administrimit te Universitetit të Mjekësisë shprehet për Report TV se aktualisht 4 anëtarët e bordit të emëruar nga Karabina po zhvillojnë një mbledhje të paligjshme. Buba: Anëtarët e rinj synojnë fshehjen e abuzimeve Ndërkohë në një email të dërguar nga një pjesë e anëtarëve të Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë bëhet me dije së anëtarët e Bordit të emëruar nga Karabina synojnë fshehjen e abuzimeve. “Në date 9 qershor Ministrja e arsimit ka marrë vendimin për të zëvendësuar 4 anëtarë të Bordit të administrimit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, në shkelje të hapur me ligjin e arsimit të lartë si dhe duke cënuar rëndë autonomine universitare. Për këtë ne bëmë ankesat përkatese të cilat u bëne nga tre anëtarët e zgjedhur nga universiteti si dhe në një ankesë tjetër nga anëtarët e ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Për këtë sekretari i përgjithshëm i ministrisë së arsimit duke na dhënë të drejtë bllokon procesin. Ndërkohë po ditën e sotme në formën e një puci, keta 4 anëtarë që ministrja i ka dërguar në mënyrë ilegjitime vazhdojnë të marrin vendime si dhe të fshehin të dhëna. Kjo mbase bëhet për të fshehur abuzime të caktuara apo për punësime në administratë” thuhet në emailin e dërguar nga një pjesë e anëtarëve të bordit. Ndreca: Zëvendësimet e ministes të jashtëligjshme Ndërkohë anëtarët e Bordit Administrimit të Universitetit të Mjekësisë i kanë çuar ankesë edhe Sekretarit të Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca për këto zëvendësime. Ndreca në përgjigjen e tij konstaton se ankesat janë të drejta dhe se zëvendësimi i anëtarëve të bordit është bërë me urdhër të Ministres Karabina dhe në kundërshtim me ligjin. “Të nderuar Rektor dhe Administrator/Kancelar të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë! E lexova me shumë kujdes ankesën tuaj drejtuar Ministres së Arsimit dhe Sportit dhe bie plotësisht dakord me ju, në argumentet juridike të trajtuar. Ju informoj gjithashtu që aktet e nxjerra nga Ministrja e Arsimit dhe e Sportit janë hartuar personalisht nga ana e Ministres dhe nuk janë trajtuar nga administrata publike e MAS, për të filtruar përputhshmërinë ligjore të tyre. Njëkohësisht bie dakord me të dy argumentet e trajtuar në ankimin tuaj 1. Është e vërtetë që të gjitha aktet e nxjerra nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit janë akte “zëvendësimi” në detyrë, institut juridik ky që nuk njihet nga legjislacioni shqiptar që rregullon marrëdhëniet juridike në fushën e arsimit të lartë. Si ligji organik nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” ashtu dhe Kodi i Procedurave Administrative nuk e njohin insititutin e zëvendësimit. Ky institut njihej nga Kodi i vjetër i Procedurës Administrative dhe lejohej në rastet kur titullari i së drejtës mungonte dhe me një akt zëvendësimi të drejtat kalonin tek zëvendësuesi i titullarit. Në rastin e zëvendësimit të anëtarëve të bordit, nuk rezulton në protokollin e Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit, asnjë dokument për asnjë prej anëtarëve të zëvendësuar, me anë të së cilit të provohet fakti që anëtarët e zëvendësuar kanë munguar në detyrë për shkaqe objektive dhe që përbëjnë arsye për zëvendësimin e tyre të përkohshëm. Në këto kushte zëvendësimi i anëtarëve të bordit është në kundërshtim me vullnetin e anëtarëve të zëvendësuar e për rrjedhojë në kundërshtim me ligjin”, thuhet nder te tjera ne deklaratën e Ndrecës

Artikulli paraprakFSHIHEN NË BAGAZH PËR TË KALUAR KUFIRIN, ARRESTOHEN SHQIPTARËT
Artikulli tjetërÇAKO PRET AMBASADORIN JAPONEZ: URA BASHKËPUNIMI PËR SIGURINË E PËRBASHKËT