Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka shpallur zyrtarisht se kush janë kandidaturat për zgjedhjet për rektor që do të zhvillohen pas afro 3 javësh, më 21 qershor. Kështu pas mbylljes së regjistrimit zyrtar më 27 maj mësohet se emrat të cilët kanë aplikuar për të kandiduar për rektor të universitetit të Shkodrës janë rektorja aktuale në detyrë Rajmonda Këçira, profesor Tonin Gjuraj dhe pedagogia e historisë në këtë universitet Nertila Ljarja.

Dy prej kandidaturave, rektorja Këçira dhe pedagogia Ljarja janë emra që futen në garë duke qenë brenda universitetit të Shkodrës ndërsa i vetmi që vjen nga jashtë është profesor Tonin Gjuraj, me një eksperiencë të gjatë akademike dhe disa poste të rëndësishme që ka mbajtur më përpara. Në fakt në garën për rektor të universitetit të Shkodrës priteshin edhe disa emra të tjerë të cilët për arsye që ende nuk dihen janë tërhequr në momentet e fundit duke mos preferuar që të aplikojnë si kandidatë. Nëse mund të quhet surprizë në këto ditë të fundit kur të gjithë kishin bërë të tjera llogari dhe kishin nisur në mënyrë të fuqishme fushatën prej kohësh, ardhja e profesor Tonin Gjuraj ka ndikuar në tërheqjen e tyre duke mos u futur në këtë garë. Përballja mes këtyre tre emrave zyrtar që tashmë kandidojnë për postin e rektorit të Shkodrës pritet që të jetë e fortë. Këçira, Gjuraj dhe Ljarja ka nisur fushatën e tyre nepër fakultete të ndryshme për të siguruar sa më shumë vota në zgjedhjet e 21 qershorit që do të zhvillohen në këtë universitet.

Ndërkohë 25 pedagogë të universitetit të Shkodrës dhe 3 studentë, 28 në total janë kandidatë për senatin akademik të cilët do të garojnë në zgjedhje e 21 qershorit. Po ashtu zgjedhje në universitetin “Luigj Gurakuqi” do të ketë edhe për dekanët e fakulteteve dhe shefat e departamenteve ku edhe në këto nivele pritet që në shumë prej tyre të ketë një garë të fortë. Vendimet për kandidatët janë marrë pasi shqyrtimit të dosjeve nga Komisioni Institucional Zgjedhor në universitetin e Shkodrës, Kiz, drejtuar nga pedagogu Fatjon Nurja. Pak kohë më parë në Shkodër ishte e pranishme Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu e cila në një takim të ngushtë me drejtues dhe pedagogë të këtij universiteti ishte tejet kritike duke kërkuar që kushdo që të fitojë garën për rektor të bëjë ndryshime emergjente të situatës. Ajo që pritet është se cila do të jetë platforma e secilit kandidat dhe vizioni që kanë për të drejtuar në katër vitet e ardhshme universitetin e Shkodrës.

Artikulli paraprakRRUGA E VARREZAVE E HARRUAR NGA INSTITUCIONET
Artikulli tjetërEKSKLUZIVE / SULMUESI I TALENTUAR KEVIN DODAJ KONTRATE PROFESIONISTE ME VLLAZNINE