Një tjetër sezon turistik ka hapur dyert edhe në Shkodër. Ndërsa qindra turistë apo edhe vizitorë të huaj e vendas vijnë në Shkodër qoftë për plazhet apo edhe për historinë, kulturën, traditën e muzetë që ofron ky qytet, në hyrje përballen me një pamje që në fakt stonon me pjesën tjetër. Tabela elektronike në urën e re të Bunës vazhdon që të mos funksionojë as ditën dhe as gjatë orëve të natës.
Edhe pse shpesh herë është ngritur si shqetësim vazhdon që të jetë në të njëjtën gjendje prej shumë kohësh. Tabela që duhej të shërbente për orientim por edhe si tabelë treguese për shoferë vendas e të huaj nuk po e kryen këtë funksion prej kohësh. Edhe pse me një rëndësi urës së re të Bunës nuk po i kushtohet vëmendja e duhur duke e lënë që të dëmtohet gradualisht.
Ura e re e Bunës është një nyje lidhëse mes Shkodrës dhe pikës kufitare të Muriqanit, një investim që po degradohet çdo ditë e më shumë. Ura e re e Bunës u ndërtua me një fond prej 7.2 milion dollarësh të dhëna nga qeveria shqiptare dhe Banka Islamike për zhvillim. Ky investim kishte si objektiv zhvillimin e mëtejshëm të qytetit përmes kësaj ure lidhëse por edhe ndërtimin e një ure moderne.
Në fakt nuk rezultoi kështu. Fillimisht tabela elektronike nis të kishte probleme duke qenë herë në funksion e herë jo për të ardhur deri në ditët e sotme ku vazhdon që të jetë me defekt. Pas kësaj është dëmtuar edhe mekanizmi i hapjes duke sjellë dëme në paisjet komanduese dhe të ndriçimit të urës. Gradualisht nisi të dëmtohej edhe shtresa e urës së re të Bunës duke sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve. Këto probleme i kanë ngritur disa herë edhe vetë qytetarët por deri më tani nuk është gjetur ndonjë zgjidhje.