Ura e Mesit, monumenti I kulturës qindravjeçar është kthyer në një nga destinacionet kryesore të turistëve që vizitojnë Shkodrën vitet e fundit. Por pavarësisht numrit të madhe të turistëve në këtë zonë, pamja që ofrohet lë për të dëshiruar pasi ende nuk kanë përfunduar punimet për restaurimin e urës.
Edhe pse afati I përfundimit ishte 6 muaj më parë, turistëve u duhet të përballen me skela, llaç dhe gurë të cilat janë lënë aty ndërkohë që edhe pse në mes të javës, nuk po zhvillohen punime. Nga ana tjetër, turistët tregojnë se gjithësesi e kanë kanë shijuar eksperiencën e tyre në Shkodër.
Ura e Mesit numëron me mijëra vizitorë përgjatë vitit. Ndërprerja e punimeve dhe zgjatja e afatit të restaurimit deri në këtë periudhë kur ka filluar sezoni turistik veror duket se po lë një shije të shëmtuar tek të gjithë turistët që vijnë të vizitojnë dhe njohin nga afër historinë e këtij monumenti kulturor.