Kryetari i PD-së, Sali Berisha komentoi sot urdhër arrestet e nxjerra nga SPAK për inceneratorin e Fierit pak ditë më parë.
“SKAP i partisë po bën gjithçka për të mbyllur aferën e djegësave, për t’ua shitur shqiptarëve si aferë e disa punonjësve të kësaj sipërmarrje gjigande krimi ekonomik të Ramës, Agaçit, Ahmetit, Veliajt dhe Lefter Kokës. Gjithçka, çdo hap që bëhet, bëhet me qëllimin e vetëm për të mbrojtur Ramën nga krimi që ka kryer. Inceneratorët janë sipërmarrje direkte e Ramës, Agaçit, Ahmetit, Veliajt dhe Lefter Kokës.
Janë sepse Edi Rama për të mbushur thasët me euro, për të përvetësuar së bashku me grupin e tij mafioz të përbërë nga personat që numërova, pranoi të firmosë në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në kundërshtim flagrant me qëndrimin e autoritetit kombëtar të prokurimeve publike, i cili i thotë me shkresë që procedura “negociatë e mbyllur” nuk ekziston në ligjin shqiptar, ekziston vetëm në kodet e mafies”, tha Berisha.
Sipas tij “Pavarësisht nga kjo shkresë pangopshmëria për vjedhje e shtyn kryeministrin e vendit të firmosë fap fap fap. SKAP i partisë përpiqet të mbulojë këtë krim të shëmtuar të Ramës, Ahmetit, Agaçit, Veliajt, përpiqet ta mbulojë, por nuk e mbulon dot se përveç firmës anti-ligjore që Rama vendosi për ndërmarrjet e tij, ai vendosi së bashku me Agaçin dhe Ahmetin të fusë duart e tij të zeza në fondin rezervë të KM dhe të transferojë para në ministrinë e Mjedisit për inceneratorin. Rama është përgjegjësi kryesor sepse ka pranuar të firmosë një kontratë për veten e tij që nuk ekziston”.