Urdhri i Demirajt: Asnjë polic të mos lëvizë pa urdhrin e shefit

Ditët e fundit për të gjithë strukturat e policisë është shpërndarë një urdhër që kërkon raportimin në detaje për çdo lëvizjeje të uniformave blu. Të gjithë policët, pavarësisht nëse janë drejtues apo policë të thjeshtë janë nën monitorim 24 orë në 24, nëpërmjet raporteve me shkrim. Urdhëri i dhënë nga Dritan Demiraj kërkon të evitojë çdo situatë ku policë të thjeshtë apo shefa komisariatesh dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete elektorale apo në ndikimin e njërës parti apo tjetër. Një drejtues policie që komunikoi me Abcneës tha se përveç orës së pushimit, zyrtar e ka të pamundur të lëvizë nga zyra, qoftë edhe për një takim të rëndomtë pa raportuar më parë tek shefat e tij. Raportimi përfshin arsyen e lëvizjes nga vendi i punë, destinacioni dhe mundësisht njerëzit që do të takohen. Monitorimi i rreptë ka hyrë në fuqi prej pak ditësh dhe pritet të vazhdojë ditën e zgjedhjeve dhe më tej. Policia e shtetit dhe në veçanti drejtuesi i saj Haki Çako është nën akuzë të vazhdueshme nga politika për favorizim të Partisë Socialiste. Akuzat më të forta i kanë ardhur nga presidenti i ardhshëm, Ilir Meta që disa e herë e ka quajtur publikisht, Haki Droga. Pak ditë më parë, Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj pranoi përfshirjen e strukturave të policisë në fushatën politike. Demiraj kërkoi shkarkimin e disa shefave të komisariateve në Pukë në Dibër dhe në Gramsh.

Artikulli paraprakAGROBIZNESI: HETIM ABUZUESVE, PRODHIMET JANË TË PASTRA
Artikulli tjetërVOTA E TË DËNUARVE, BURGJET NË SHËRBIM TË PËRFORCUAR, PEZULLOHEN LEJET