Vinë reagimet e para pas urdhrit të një dite më parë të Kryeministrit Edi Rama, i cili u la afat 24 orë drejtorëve të Hipotekave në mbarë vendin për të dhënë dorëheqjen.
Kështu drejtori i Hipotekës së Gjirokastrës deklaron se do të japë sot dorëheqjen. Edhe Mimoza Kola, kreu i komanduar i Hipotekës Fier mesditën e sotme do të ketë gati dorëheqjen e saj për t’ia dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të ZRPP-së Artan Lame. Lajmi konfirmohet nga vet Kola e cila në një bisedë telefonike ka pohuar se për momentin nuk e ka kryer për shkak të dyndjeve të qytetarëve për problemet e tyre në dyert e institucionit që ajo drejton. Kola ka një periudhë pune 3 vjeçare në ZRPP Fier si inxhiniere ndërtimi ndërkohë që me vendosjen e Ministrave të përkohshëm para zgjedhjeve të 25 qershorit u largua Gani Bendo i LSI dhe u vendos Mimoza Kola e PS.
Kola pohoi se mesditën e sotme dorëheqja e saj si drejtore e ZRPP Fier do të jetë gati pasi ky është një urdhër i Kryeministrit. “Do të jenë ata që do të vendosin nëse unë do të rikthehem përsëri pas verifikimeve që ata do të bëjnë”. Pasdites e së enjtes, kryeministri Edi Rama mblodhi në një takim drejtorët e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për tua thënë në sy që duhet të japin menjëherë dorëheqjen nga detyra. Një ndër arsyet e kësaj kërkese, sipas kreut të qeverisë, është mungesa e seriozitetit dhe e përgjegjshmërisë për t’iu përgjigjur ankesave të qytetarëve.