Një udhëzim konkret si do të veprohet për të ndaluar përdorimin e celularëve në shkolla, është firmosur nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
Udhëzimi mban datën 16 nëntor 2018 me nr 34
Sipas këtij udhëzimi është e ndaluar të disponohet telefon celular nga nxënësit dhe mësuesit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare. Në rast të konstatimit të disponimit të telefonit celular në mjediset e këtyre institucioneve përcaktohen një sërë rregullash.
Drejtoritë e shkollave kanë për detyrë sekuestrimin e telefonit celular dhe zbatimin e masës disiplinore në rast konstatimi në mjediset e institucionit arsimor.
Më pas telefonat depozitohen pranë Drejtorive Arsimore dhe Zyrave Arsimore, ndërsa informohet dhe prindi për sekuestrimin e telefonit.
Drejtoritë arsimore do të rishikojnë rregulloren e brendshme të shkollës, duke përcaktuar masat për ndalimin e telefonit celular.
Gjithashtu do të merren masa për organizimin e takimeve me prindërit për njohjen e rregullores së re. Në çdo klasë do të ketë poster ku ndalohet celulari.
Mësuesi dhe prindërit duhet të firmosin një deklaratë të përbashkët për ndalimin e marrjes së telefonit celular në mjediset e shkollave nga nxënësit
Shkollat do vendosin në dispozicion një numër telefoni të veçantë për komunikimin me prindërit e nxënësve dhe t’ua bëjnë me dije prindërve në deklaratën e përbashkët.
Të raportojnë me shkrim pranë institucioneve arsimore vendore masat e marra ndaj mësuesit në rast përdorimi të telefonit celular gjatë procesit mësimor.
Ndërkohë institucioneve arsimore vendore, pra DAR dhe zyrat arsimore kanë këto detyra:
Të monitorojnë masat e marra për ndalimin e telefonave në mjediset shkollore.
Të depozitojnë pranë policisë së shtetit telefonat celularë të sekuestruar në shkolla.
Të raportojnë çdo muaj me shkrim MAS për zbatimin e urdhrit.
Urdhri i ri i MAS: Celularët e kapur në shkolla sekuestrohen e dorëzohen në polici