QARKU SHKODËR, MUND TË KETË NDRYSHIMET MË TË MËDHA.Ndryshimet radikale në sistemin arsimor parauniversitar që po përgatiten nga qeveria dhe ministria e arsimit më shumë se çdo qark tjetër mund të prekin qarkun e Shkodrës. Në drejtorinë rajonale të arsimit nga sekretaria e përgjithshme e ministries ka mbërritur një shkresë ku kërkohet një listë zyrtare për të gjithë mësuesit që janë më shumë nga sa duhet të ishin, mësuesit që janë jashtë profilit dhe ata që nuk kanë arsimin përkatës.
Menjëherë drejtoria rajonale e arsimit në Shkodër ka nisur verifikimet në të gjitha shkollat e qarkut të Shkodrës. Nga sa mësohet deri tani, burime pranë drejtorisë arsimore bëjnë me dije se Shkodra mund të ketë numrin më të madh të mësuesve që janë mbi kapacitetin e kërkuar. Nuk mbetet me kaq sepse rreth 5-6% mendohet të jetë numri i atyre që janë jashtë profilit e po ashtu një numër jo i vogël edhe të mësuesve që nuk kanë arsimin përkatës. Drejtoria rajonale po përgatit listën për ta dërguar më pas në Ministrinë e Arsimit dhe shumë shpejt pritet që të dalin edhe rezultatet. Sidoqoftë duke pare situatën në totalin e saj, qarku i Shkodrës mund të renditet ndër më problematikët. Nga sa mësohet ende nuk ka një direktive nëse këto mësues do të hiqen nga puna apo do të zhvendosen nga një shkollë në tjetrën apo do t’i nënshtrohen ndonjë testi. Urdhri i Ministrisë nuk parashikon ende asgjë por vetëm kërkon listën e këtyre mësuesve. Pak ditë më pare qeveria publikoi disa shifra duke thënë se 2065 mësues janë jashtë profilit të tyre dhe 1984 mësues pa arsimin përkatës. Sidoqoftë deri në dhjetor pritet që t’i jepet fund kësaj historie që ka futur në panik mësuesit në mbarë vendin. Qeveria nga ana e saj ka hedhur akuza se kjo situate ka ardhur nga keqmenaxhimi i qeverisë së mëparshme ndërsa opozita thotë se kjo bëhet vetëm që koalicioni PS-LSI të punësojë me pa të drejtë militantët në arsimin parauniversitar.