Ugur Sahin, kreu i kompanisë gjermane të bioteknologjisë “BioNTech” tha për gazetën gjermane “Bild” se doza përforcuese e vaksinës “Pfizer” vjen për të mbushur boshllëkun dhe madje është efektive kundër mutacionit “Delta”.
Deklaratat e kreut të kompanisë gjermane të bioteknologjisë vijnë në kohën kur gjiganti farmaceutik amerikan “Pfizer”, me të cilin po bashkëpunon për përgatitjen e një vaksine kundër Covid-19, njoftoi se e ka gati pilulën.
“Nga muaji i shtatë, i tetë apo i nëntë pas dy dozave të para të vaksinës anti-Covid, nivelet e antitrupave fillojnë të bien, duke e lënë trupin të prekshëm ndaj sëmundjes. Doza përforcuese rikthen mbrojtjen e vaksinës” tha Ugur Sahin.
Duke komentuar gjetjet e provave klinike, drejtori i “BioNTech” tha se kur dikush është i infektuar me Covid dhe është plotësisht i vaksinuar, nuk do të sëmuret rëndë.
“Përveç kësaj” tha Sahin “ne kemi të dhëna studimore që tregojnë se një dozë përforcuese rikthen mbrojtjen e vaksinës (gjashtë muaj pas dozës së dytë). Kjo vlen edhe për mutacionin e virusit Delta”.
Për këtë arsye, thotë ai, “të moshuarit duhet të marrin urgjentisht dozën përforcuese, gjashtë muaj pas dozës së dytë të vaksinës kundër koronavirusit”. Doza e tretë ka filluar që të aplikohet në shumë vende.