Uruguaji do të bëhet shteti i parë në botë që do të lejojë shitjen e marijuanës nëpër farmaci. Ky është njoftimi që ka dalë nga zyra e presidentit uruguajan Tabare Vasquez‘s.
Kjo lëvizje ishte hapi i fundit i implementimit të këtij ligji revolucionar në shtetin amerikano-jugor, adaptimi i të cilit filloi që në 2013-ën, me legalizimin e plotë të prodhimit, shitjes dhe konsumit të marijuanës. “Kanabisi do të mund të shitet nëpër farmaci, duke filluar që nga java e parë ose e dytë e muajit korrik”, tha kreu i Këshillit Kombëtar të Drograve, në Uruguaj. Sipas ligjit, blerësit duhet të regjistrohen si përdorues të marijuanës dhe të plotësojnë të gjithë procedurat për t’u legalizuar si të tillë. Rregjistrimi pritet të fillojë më 2 maj dhe do të jetë i hapur për shtetasit uruguajanë dhe rezidentët e përhershëm, ndërkohë që ligji parashikon që përdoruesve nuk do t’u lejohet të tejkalojnë masën prej 40 gram marijuanë në muaj.