Liderët e Republikës Çeke dhe Hungarisë kanë deklaruar se për të forcuar sigurinë në Bashkimin Europian duhet një ushtri e përbashkët europiane.

Ata kanë folur në prag të takimeve në Varshavë me kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilën e kundërshtojnë për politikën e saj të pritjes së refugjatëve myslimanë. “Ne duhet t’i kushtojmë prioritet sigurisë, kështu që le të fillojmë të ngremë një ushtri të përbashkët europiane”, deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orban. Ndërsa kryeministri çek Bohuslav Sobotka theksoi se, ngritja e një ushtrie të përbashkët nuk është e lehtë, por bëri thirrje që të nisin sa më shpejt punimet në këtë drejtim. Një projekt i tillë është kundërshtuar fuqishëm nga qeveria e Britanisë së Madhe, e cila është shprehur kundër çdo lëvizjeje jashtë fushëveprimit të NATO-s. Bashkimi Europian ka njësi të përbashkëta mbrojtjeje në formën e 1.500 grupeve luftarake, por këto nuk janë testuar ende në një betejë të vërtetë. Vitin e kaluar, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker bëri thirrje për një ushtri të përbashkët europiane “për t’i dhënë BE-së muskuj përballë kërcënimeve që vijnë nga Rusia apo ngado tjetër”.

Artikulli paraprak106 VJETORI I NËNË TERËZES, DITËLINDJA E NOBELISTET SHQIPTARE
Artikulli tjetërAKSION ANTI-TERRORIZËM NË BRITANI, ARRESTOHEN 5 PERSONA