Ushtria ukrianse ka rritur kundërsulmet e saj kundër forcave ruse në jug, ndërsa Moska bombardoi në periferi të Kievit për herë të parë pas disa javësh.
Pesë persona u vranë dhe 26 u plagosën kur raketat goditën qytetin qendror të Kropyvnytskyi sipas raportimit të zyrtarëve, ndërsa tre persona vdiqën në Bakhmut, në lindje. Pranë Kievit, 15 persona u plagosën në një bazë ushtarake. Rajonet veriore dhe jugore të Ukrainës u goditën gjithashtu.
Një urë kyçe në qytetin Kherson është jashtë funksionit pasi forcat ukrainase e goditën atë me raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA. Kjo e bën të pamundur për Rusinë dërgimin e dislokimeve dhe armatimit mbi Urën Antonivsky. Zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar thonë se i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas i kapur që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, tani është “praktikisht i shkëputur nga territoret e tjera të okupuara”.
Megjithatë, ushtria ukrainase ka paralajmëruar se Moska tani po ridislokon forcat e saj nga Ukraina lindore për të mbrojtur rajonin Kherson. Kontrolli mbi Kherson është i rëndësishëm për Rusinë, pasi ofron një korridor tokësor për në Krime, gadishullin jugor të Ukrainës, i aneksuar nga Kremlini në 2014.
Në Kropyvnytskyi, kryeqytetin e rajonit Kirovohrad, një shkollë u godit nga dy raketa ruse.
Në Bakhmut, i cili shtrihet në rajonin lindor të Donetskut, të paktën tre persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse, tha kreu rajonal Pavlo Kyrylenko. Dymbëdhjetë ndërtesa banimi janë dëmtuar. Po ashtu, 15 persona u lënduan kur gjashtë raketa ruse Kalibr goditën një bazë ushtarake në Liutizh, rreth 10 km (gjashtë milje) në veri të kryeqytetit Kiev, njoftoi zyrtari i lartë ushtarak ukrainas Oleksiy Hromov.
Ai nuk specifikoi nëse ka të vdekur. Diku tjetër, një person u vra dhe dy u plagosën në bombardimet ruse të rajonit Dnipropetrovsk qendror-lindor të Ukrainës.
Pesë muaj që kur presidenti rus Vladimir Putin filloi një pushtim të Ukrainës, aleatët perëndimorë vazhdojnë të dënojnë agresionin e Moskës. Të enjten, SHBA, Kanadaja dhe 36 vende evropiane thanë se po krijonin një mision ekspertësh për të rishikuar situatën e të drejtave të njeriut brenda Rusisë, e cila sipas tyre ishte përkeqësuar që nga fillimi i pushtimit.
Duke vepruar përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kombet akuzojnë Moskën për shtimin e shtypjes së zërave kundërshtues brenda vendit, raporton BBC.
Në një deklaratë, grupi shprehu gjithashtu shqetësim për raportet e torturave në qendrat e paraburgimit, ndërsa në shtator ekspertët e saj do të publikojnë një raport dhe do të ofrojnë rekomandime se si autoritetet ruse mund ta trajtojnë situatën.