Vajza e Admir Muratjt, Irini Murataj, kërkon nga Prokuroria për Krime të Rënda të hetojnë repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për vrasjen e babait të saj më 9 prill teksa uniformat blu ishin vënë në ndjekje një grupit grabitës të miliona eurove në aeroportin e Rinasit.
Me prokurë të veçantë të vajzës së Admir Muratajt, avokati i familjes Murataj, Arbër Hoxha, paditi në Prokurorinë për Krime të Rënda, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët vranë Admir Muratajn pas grabitjes së parave në aeroportin e Rinasit.
Sipas tij, Admir Murataj u vra qëllimisht nga policia pasi uniformat blu nuk kanë vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas pretendimeve të familjes Murataj, Admiri nuk ka qëlluar me armë ndaj policisë dhe nuk ka rrezikuar jetën e askujt, pra – sipas tyre – Murataj nuk ka shkëmbyer zjarr me efektivët e FNSH-ë.
“Admir Murataj është qëlluar për t’u vrarë. Ai që e ka qëlluar duhet të vendoset përpara drejtësisë. Mundet që edhe punonjës të policisë mund ta kenë qëlluar për ta vrarë dhe kjo duhet hetuar për t’u vënë përpara drejtësisë”, tha avokati.
I pyetur se përse po vonohet certifikata e vdekjes e cila ende nuk është dorëzuar në gjykatë, si dokument i nevojshëm për të mbyllur procesi gjyqësor ndaj Admir Muratajt, avokati u përgjigj: Detyrimin ligjor e ka organet ligjzbatuese. Këto janë çështje procedurale.
“Marrë shkas nga mekanizmi i vrasjes dhe shkaku i vdekjes (vetëm një vrimë tejshkuese në kokën e viktimës) jemi të mendimit që rrethi i personave nën hetim duhet të zgjerohet duke marrë si të dyshuar
për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim Detyre”, “Vrasie me Dashje” ose “Vrasje e kryer në kapërcim e mbrojtjes së nevojshme”, edhe punonjësit e Policisë së Shtetit konkretisht F.N.SH. si grup i ndërhyrjes dhe ndjekjes së veprimeve, të personave të dyshuar për grabitjen në të cilen ka mbetur i vrarë i ndjeri Admir Murataj”, thuhet në kërkesë padinë .
Në kërkesë padinë e depozituar pranë Prokurorisë Irini Murataj shtron pyetjet:
Cilët kanë qenë punonjësit e policisë me gjeneralitet përkatëse anëtarë të grupit të FNSH që kanë marrë pjesë në shkëmbimin e zjarrit të pretenduar në vjedhjen me armë të ndodhur në Rinas në datë 9 Prill 2019?
A janë respektuar dispozitat përkatëse të ligjit nr 72/2014 “për përdorimin e armëve të zjarrit” dhe akteve të tjera nënligjore nga anëtarët e grupit të FNSH të policisë së shtetit?
Kjo padi u depozitua në të njëjtën ditë kur Gjykata e Krimeve të Rënda nuk mori një vendim ndaj procesit për Admir Muratajn lidhur me grabitjet e 2015-2016-2017.
Shkak u bë mosdorëzimi i aktit të vdekjes dhe çregjistrimit të Murataj nga regjistri i gjendjes civile në Tropojë ku ai rezulton ende në jetë dhe pse prej tre javësh familja e tij e ka përcjellë në varrezat e Ceremit në Tropojë.
Për të depozituar këto akte gjyqtari Klodian Kurushi i la kohë prokurorit Eneid Nakuci deri më datë 14 Maj 2019 kur do të mbahet seanca e radhës.
Adrmi Murataj, në kërkim prej vitit 2013, kur u arratis nga burgu grek i Trikallasë, u vra pas grabitjes së 9 prillit në aeroportin e Rinasit.
Murataj, ishte në kërkim edhe si organizatori i 3 grabitjeve me blinda në harkun kohor të 2015-2017. Grupi i tij u dënua gjatë marsit me 107 vite burg, ndër ta edhe vëllai i Admir Muratajt, Aleksandër Murataj.